Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, në përpjekje e sipër për të mbrojtur burrin e saj, Prindon Sadriu, tha se ai nuk i ka quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ndonëse pikërisht këtë etiketim ua kishte dhënë mediave zotëriu i parë.
“Jo, e ka thanë ‘gazetarët dhe ndërmarrjet e përbashkëta kriminale’. Këtë e kam qartësu, kjo ka qenë në fillim të mandatit, pra është bërë ndarja e qartë mes dy kategorive”, tha Osmani.
Ajo tentoi që t’ia marrë një shembull gazetarit të televizionit 7, Genc Godanci, që i bëri pyetjen në lidhje me deklaratat e burrit të saj, për t’ia dëshmuar gjoja se nuk është e vërtetë.
“Po aty nëse thua dhe është sikur me thënë Vjosa dhe Genci, nuk po thojna që Vjosa është Genci, as që Genci është Vjosa, jena duke thënë Vjosa dhe Genci. Këtu fokusi duhet me qenë te fjala ‘dhe’”, deklaroi Presidentja.
Por, kjo nuk është e vërtetë. Ai, në shkurt të vitit 2022, i kishte quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pasi që e kishte shpërndarë një reagim të Bekim Kupinës, këshilltarit të Osmanit.

Kjo nuk është hera e vetme. Sadriu edhe një herë tjetër ua kishte veshur mediave këtë akuzë.

Këto deklarata të tij madje ishin përmendur edhe në raportin e Organizatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Human Rights Watch (HRW) në vitin 2023.
“Në shkurt, Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentit të Kosovës dhe një zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në një postim në Facebook i etiketoi gazetarët dhe mediat në Kosovë si “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, thuhej në raport.