Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, i është përgjigjur me letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas ftesës për takim lidhur me themelimin e institucioneve.

Në letrën e datës 3 gusht 2026, Gjini rikujton se AAK-ja e kishte bërë të qartë qëndrimin e saj edhe në përgjigjen e 9 korrikut, duke theksuar se nuk ka interes të bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës “në asnjë format”.

Sipas tij, Aleanca ka ofruar mbështetje vetëm për themelimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, duke pasur parasysh edhe procesin e zgjedhjes së presidentit.

Gjini thekson se AAK-ja i ka paraqitur Kurtit gjashtë prioritete, të cilat i konsideron jetike për vendin, por se deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Prioritetet e përmendura janë: pranimi i projektit të gazit amerikan, nisja e procedurave për ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, rritja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla nga 30 mijë në 100 mijë euro, lirimi i tokës së punuar nga tatimi në pronë, financimi i plotë i projekteve infrastrukturore të mbetura pezull dhe ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard euro për investime kapitale në Prishtinë.

Në përfundim të letrës, Gjini shprehet se, përderisa nuk ka përgjigje për këto kërkesa, Aleanca nuk sheh arsye të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti.

“Derisa nuk kemi përgjigje për këto pika, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, thuhet në letrën drejtuar Kurtit.