Pas publikimit të raportit të Dick Marty-it, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi iu kishte thënë amerikanëve që është i gatshëm të jap dorëheqje nga pozita e Kryeministrit që e mbante atë kohë, por ata i thanë ‘jo, s’e ke obligim’.
Kështu ka thënë publicisti Blerim Shala, në një intervistë për VOX Kosova, derisa ka shpjeguar prapaskenat e themelimit të Gjykatës Speciale.
“Për mu e meta kryesore më e madhe e kësaj është që nuk ka ndodh në Kosovë me faturën ndërkombëtare gjithë kjo ndërmarrje, sepse të mos harrojmë, Hashim Thaçi ka qenë kryeministër në atë kohë, i ka thirrë ambasadorët e Quintit në zyrën e vet dhe i ka thënë pas këtij raporti të Martyt, a është rendi të rri unë kryeministër apo duhet të jap dorëheqje, sepse akuzat janë tepër të rënda”, tha Shala.
Shala theksoi se Christopher Dell, i cili ka qenë ambasadori i Amerikës në Kosovë, po edhe gjithë ambasadorët tjerë të QUINT-it, i kanë thënë; “jo, sa për ne ti nuk ke obligim të japësh dorëheqje, sepse këto janë pretendime, të cilat nuk dimë a do të vërtetohen ndonjëherë, prandaj edhe ka mbet Hashim Thaçi si Kryeministër i Kosovës”.
“Por, pastaj është marrë një obligim, një detyrim i joni veçmas ndaj amerikanëve, mos të harrojmë se ky është megjithatë një rrëfim, i cili fund e krye ka adresën në Washington, kemi marrë parasysh që duhet të bëhet diçka dhe na është garantuar që do të ketë një proces të mirëfilltë, transparent dhe që nuk kemi alternative”.








