Nenad Rashiç, Ministër për Komunitete dhe Kthim, ka deklaruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte thënë se po ia bart 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit për shkak të tij.

“Do të them, ndoshta pa u bërë modest, por kjo ndodhi falë insistimit tim të vazhdueshëm. Gjatë viteve kam shpjeguar pse është e rëndësishme. Në fund, kryeministri më ftoi para seancës së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por të dish – për ty'”, ka thënë Rashiç në një intervistë për “Radio Gorazhdevcin”, transmetuar nga “Kossev”.

Rashiç ka theksuar se edhe pse kjo ishte “një detyrë e vjetër gjyqësore që askush më parë nuk e kishte zbatuar, fakti që Albin Kurti e bëri atë me këshillimin e tij, ka një rëndësi të veçantë”.

“Ishte një gjë e madhe që nuk kishte natyrë materiale, por diçka shumë më të rëndësishme. Mendoj se kjo duhet vlerësuar”, konsideron ai.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, kishte marrë vendim për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit në mars të vitit 2024.

Nga mbledhja e Qeverisë, Kurti i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta regjistroi këtë tokë në emër të Manastirit të Deçanit, e cila e kishte bërë këtë disa ditë më vonë.