Pritjet e Kosovës kanë qenë që misioni i Gjykatës Speciale do të përfundonte brenda 3 deri në 5 vjet, që të sqarohej njëherë e mirë akuza e trafikimit të organeve.

Kështu ka thënë publicisti Blerim Shala, në një intervistë për VOX Kosova.

“Është supozuar që gjithçka do të kryhet në një periudhë 3 deri 5-vjeçare maksimum, dhe që do të sqarohet një herë e përgjithmonë kjo temë, që ishte shumë me rëndësi edhe për njohjen ndërkombëtare të Kosovës”, tha Shala.

Shala deklaron se askush s’ka menduar në atë kohë, “as ne, as amerikanët, që prej 2015-ës do të kalojnë 11 vjet në këtë proces”.

Ai theksoi se presioni i ndërkombëtarëve ka qenë se krijimi i Gjykatës Speciale ka të bëjë me Raportin e Dick Marty-t, konkretisht për akzuat e trafikimit të organeve.

“Mos të harrojmë asnjëherë, me gjithë presionin e jashtëzakonshëm ndërkombëtar, gjithmonë shpjegimi i amerikanëve dhe i evropianëve ka qenë që kjo ka të bëjë me raportin e Dick Martyt. Kjo ka të bëjë me trafikimin e organeve. Nuk ka të bëjë me asgjë tjetër. Dhe pasi që ishte një temë tepër e përdorur në media ndërkombëtare, sidomos në gazetat britanike”, shpjegon ai.

Të gjendur në këtë situatë, Shala thekson se në atë kohë secili prej tyre ka menduar “që ia vlen të bëhet një veprim i tillë [themelimi i Speciales]”.

“Megjithëse ne, në vitin 2012, patëm kompletuar pavarësinë e mbikëqyrur, tash në 2015 po hiqnim dorë nga një segment shumë i rëndësishëm i drejtësisë, hulumtimi i krimeve të luftës, në mënyrë që ta bartim në Hagë dhe ta krijojmë një superstrukturë juridike”.

“Një përbindësh juridik real, prej Ombudspersonit, Gjykatës Supreme, Gjykatës Kushtetuese, nivelit të dytë, nivelit të parë, vetëm e vetëm që njëherë e përgjithmonë ta shmangim këtë problem të madh”.