Në një seancë të Gjykatës Speciale në vitin 2022 avokati i Hashim Thacit Greogry Kihu, ishte paraqitur i frustruar, pasi kishte zbuluar se Prokuroria Speciale kishte mbajtur të fshehta disa prova shfajësues.

“Asgjë nga këto nuk u dorëzua teksa po i shtjellonim dhe diskutonim provat. Asgjë nga kjo nuk i është dhënë shkëlqesisë suaj. Asgjë. Dhe i kishin këto informata që katër 4 vjet”, kishte deklaruar Kihu në 4 shkurt, 2022.

Mes tyre edhe ajo e dhënë nga ish-diplomati i lartë i OSBE-së Daan Everts, i cili kishte shërbyer në Kosovë menjëherë pas luftës.

Në një intervistë për VOX Kosova, Everts na ka treguar se çka saktësisht i tha Prokurorisë, që i alarmoi aq shumë, saqë ata deshën ta fshehin krejtësisht dëshminë e tij.

Zoti ambasador, gjatë një prej seancave në Dhomat e Specializuara të Kosovës, avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, tha se Prokuroria kishte fshehur prova shfajësuese.

Sipas avokatit, njëra prej këtyre provave ishte një deklaratë që ju i kishit dhënë Prokurorisë. Thuhet se ju keni deklaruar se krimet e kryera në Kosovë pas qershorit 1999 janë kryer nga individë për përfitime personale dhe nuk ishin të organizuara nga udhëheqja e UÇK-së.

Megjithatë, kjo deklaratë nuk iu bë e ditur gjykatës.

Çfarë saktësisht i thatë Prokurorisë?

“Në fakt, ajo që thatë ju, unë ia kam shpjeguar Prokurorisë në detaje të mëdha. Konkretisht, se aq sa mund ta shihnim ne si ndërkombëtarë – dhe kishim mjaft sy e veshë në terren – nuk ekzistonte mundësia për të vërtetuar një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krimet që u kryen. Nuk kishte përgjegjësi nga nivelet më të larta të organizatës, pra të UÇK-së, udhëheqësit e së cilës në masë të madhe ndodheshin jashtë vendit ose, në çdo rast, nuk ishin të përfshirë drejtpërdrejt në terren. Prandaj, aktet individuale të hakmarrjes që padyshim kanë ndodhur – të mos kemi iluzione për këtë – kanë ndodhur vërtet. Por nuk mund të thuhet se ato ishin të organizuara nga lart. Kjo ishte dëshmia ime para Prokurorisë dhe, natyrisht, nuk isha i vetmi që jepte një deklaratë të tillë. Ekziston një bindje e përhapur gjerësisht se nuk ka pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë që mund të provohej, madje as që ka gjasa të provohej”, thotë Everts.

Çfarë ju pyeti saktësisht Prokuroria?

A mendoni se Prokuroria iu qas dëshmisë suaj në mënyrë objektive apo po kërkonte kryesisht informacione që mbështesnin teorinë e saj për rastin?

“Kam pasur problem me Prokurorinë në kuptimin që ata dukeshin shumë të interesuar të gjenin prova për keqbërje dhe fajësi. Unë nuk isha i gatshëm t’i përshtatesha kësaj qasjeje. Doja të jepja një deklaratë të drejtë dhe të ndershme mbi mënyrën se si ne, si ndërkombëtarë, e perceptonim situatën në terren. Prandaj, synimi im ishte të tregoja të vërtetën dhe jo thjesht të thosha atë që ata dëshironin të dëgjonin”, deklaroi Everts për VOX Kosova.

A ju është kërkuar ndonjëherë të dëshmoni para Dhomave të Specializuara të Kosovës?

Nëse jo, a mendoni se gjykata duhej ta dëgjonte drejtpërdrejt dëshminë tuaj?

“Mendoj se kjo është çështje e mbrojtjes. Mbrojtja ishte e mendimit se akuzat kryesore kishin të bënin me periudhën e luftës dhe jo me periudhën pas luftës. Për këtë arsye, ata nuk e panë të nevojshme që unë të dëshmoja. Ndërsa Prokuroria, natyrisht, nuk ishte fare e interesuar, sepse unë nuk i ndihmoja çështjes së saj. Prandaj mund të jetoj me këtë situatë. Do të kisha dashur të paraqitesha dhe t’ua shprehja gjyqtarëve pikëpamjet dhe përshtypjet e mia, por mund ta pranoj këtë gjendje, pasi mbrojtja dëshironte të fokusohej te periudha e luftës dhe jo te ajo pas luftës” përfundoi Everts.