Vetëvendosja i ka ofruar “gjithçka” Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, vetëm që Vjosa Osmani të mos bëhet edhe një mandat Presidente.
Kështu tha Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në DPT te Fidani që transmetohet në Klan Kosova, ku ishte i ftuar bashkë me Osmanin.
Përderisa moderatori i emisionit, Fidan Jupolli, i tha se “e dimë që i ke refuzu katër ministri”, duke iu referuar deklarimeve të Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për ofertën që ia kishte bërë LDK-së në këmbim që e njëjta ta votonte kandidatin e tyre për President, Abdixhiku theksoi se kjo nuk ka qenë oferta e vetme.
“Kush po të thotë që janë veç 4?”, tha Abdixhiku. “Mos më shtin me fol”, vazhdoi ai.
Fillimisht, Abdixhiku refuzoi që të përgjigjej. “Nuk po foli, sepse me rëndësi tash jemi bashkë, ka kalu ajo kohë”.
Por, pas insistimit të moderatorit dhe Osmanit ai tregoi versionin e tij.
“[Oferta ka qenë] gjithçka, veç Vjosën mos me ba Presidente. Qe qekjo është”, deklaroi kandidati i LDK-së për Kryeministër.
Pas kësaj, Abdixhiku u pyet nga Osmani se kush e ka pasur këtë qëndrim. “Vetëvendosje, qysh kush e ka pasë”, u përgjigj ai.









