Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dha një intervistë një ditë para zgjedhjeve në Radio Televizionin e Kosovës.
I pasfiduar nga pyetjet, ai fliste për punët që kanë bërë, me përshkrime pozitive për gjendjen në Kosovë, por prapa skenës një hall po e përjetojnë tash e sa kohë, e disa herë, punëtorët e RTK-së.
Si pasojë e mosalokimit të plotë të pagave, tri sindikata të Radio Televizionit të Kosovës të martën zhvillojnë protestë në orën 12:00.
Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë njoftuar se sot, në orën 12:00, do të mbajnë një protestë para objektit të Televizionit të Kosovës.
Problemin e njëjtë me vonesat në paga, punëtorët e televizionit publik e kishin pasur edhe vitin e kaluar.
Një pjesë e gazetarëve, disa prej të cilëve edhe janë larguar, kanë folur haptas për ndërhyrje direkte nga pushteti në orientimin e temave dhe lajmeve.
Drejtor në RTK është Rilind Gërvalla, dikur aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.









