Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj ish-deputetit, Gani Geci, për kërcënimin e gazetarit, Lirim Mehmetaj. Vendimi është marrë në seancën e mbajtur këtë të mërkurë më 14 tetor.

Gani Geci u arrestua mbrëmjen e së hënës(12 tetor) nga Policia e Kosovës.

I njëjti, dyshohet se ka kanosur drejtpërdrejt gazetarin Lirim Mehmetaj, për shkak të ushtrimit të profesionit të tij.

Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Mehmetaj ka treguar se Geci bashkë me disa persona tjerë kishin shkuar edhe në zyrën e tij, ndërsa ai më pas e kishte paraqitur rastin në Polici.

“E kam bërë atë postim. Prej familjes Geci më kanë thirrur dhe më kanë thënë ta heq postimin. Unë u kam thënë jo. Kanë propozuar të takohemi. Kam thënë: ‘Okej’. Më kanë thënë ta heq postimin, ndërsa unë u kam thënë jo”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pasi kishte refuzuar ta fshinte postimin, personat që kishin shkuar në zyrën e tij i kishin kërkuar t’ia ndryshonte përmbajtjen.

“Njëherë kanë qenë më komunikues, por unë u kam thënë jo, nuk hiqet. Më kanë thënë: ‘Ani, t’ia ndërrosh përmbajtjen’, ndërsa unë u kam thënë jo. Pastaj i kam larguar nga zyra”, ka treguar ai.

Mehmetaj ka thënë se, pas refuzimit të tij, kishte pasur edhe kërcënime.

“Kur u kam thënë se nuk e heq, kanë kërcënuar, me të kuptuar se nëse nuk e heq…”, ka deklaruar gazetari.

“Në mëngjes kam shkuar në Polici dhe e kam paraqitur rastin. Unë mangup nuk jam, por që të ma diktojë dikush se çfarë të shkruaj, nuk ka shans, edhe sikur të rrotullohej toka e qielli. Nuk ka shans fare, fare, fare, askush”, është shprehur Mehmetaj.