Një ngjarje që pak kush e di që lidhet me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, është rrëfyer nga publicisti, Blerim Shala në emisionin VOX Data, me gazetarin, Lirim Mehmetaj. Kishte ndodhur në Novi Sad të Serbisë në vitin 1988, pak kohë pasi Rugova ishte zgjedhur Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptarë, e kur këta të fundit ishin takuar me shkrimtarë serbë.

“…për shtatë vjet ne kemi qenë vazhdimisht në presion. Vazhdimisht të shtypur. Vazhdimisht të fyer dhe të përbuzur. Tash del një Shoqatë e Shkrimtarëve. Vjen dr. Ibrahim Rugova në krye të saj. Një figurë pak a shumë anonime për opinionin publik. Në qarqe intelektuale ka qenë i njohur, por jo në opinionin publik. Dhe bëhet Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve. Çuditërisht ndodh një takim mes shkrimtarëve shqiptarë dhe serbë në Novi Sad, në pranverën e vitit 1988. Pak kohë pasi Rugova u bë Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve. Shkrimtarët tanë shkojnë me guxim, me dinjitet, me gatishmëri të përballen me shkrimtarët serbë”, rrëfen Shala.

Ai thotë se shkrimtarët shqiptarë në atë takim, shkuan “me guxim” dhe thanë atë që duhej për Kosovën.

Kjo, siç rrëfen Shala, ishte pika e kthesës për Rugovën, që atij i dha famën e madhe.

“Takimi ishte i natyrës së njohjes së njëri-tjetrit. Edhe trajtimit të problemeve kryesore në komunikimin mes shqiptarëve dhe serbëve, sepse llogaritej që ne nuk i njohim ata, ata nuk na njohin neve dhe ky ishte karakteri i takimit. Po shqiptarët tanë shkuan me guxim dhe ua thanë troç shkrimtarëve serbë se për çka bëhet fjalë në Kosovë dhe gjetiu. Normalisht me një terminologji tjetër, me një fjalor tjetër. Mos të mashtrohemi ne, të vrapojmë tash e të themi që jo, ata kanë qenë guximtarë dhe kanë kërkuar Republikën. Nuk ka qenë kështu. Por mënyra se si kanë komunikuar me shkrimtarët serbë, të cilët përndryshe ishin jashtëzakonisht agresivë ndaj këtyre tanëve, i bëri që ata të marrin një famë të madhe te opinioni jonë”, shton.

“Shkrimtari serb Milan Komneniç, një shkrimtar goxha i njohur i kohës, iu patë thënë shkrimtarëve tanë: “Gospodo, i smo u rato”. “Zotërinj, ne jemi në luftë”. Takim të shkrimtarëve, ai flet për luftë në pranverën e ’88-ës. Por kolegët tanë, gjegjësisht shkrimtarët e Kosovës, janë përgjigjur në mënyrën më racionale të mundshme, por duke mos lëshuar pe dhe kjo e bëri jehonën në Kosovë. Sepse për herë të parë prej ’81-shit, u çuan shkrimtarët e Kosovës dhe mes Novi Sadit, një hapësirë normalisht të banuar me shumicën serbe, folën në mënyrë shumë të sinqertë se ne jemi të pakënaqur. Ne jemi ata që po fyhemi”.