Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar në rrjetin e tij social “Truth Social”, se një “civilizim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u kthyer kurrë më”.

Komentet e Trump kanë të bëjnë me përfundimin e afatit që ai i ka vendosur Teheranit zyrtare për një marrëveshje, që përfshin hapjen e Ngushticës së Hormuzit, nëpër të cilën kalon një e pesta e naftës së papërpunuar në botë.

Trump ka thënë po ashtu se ai nuk do që kjo të ndodhë, duke shtuar edhe se ndryshimi i plotë i regjimit në Iran mund të arrijë në diçka të mrekullueshme.

“Do ta zbulojmë sonte, një nga momentet më të rëndësishme në historinë e gjatë dhe komplekse të botës. 47 vite shantazh, korrupsion dhe vdekje do të marrin fund më në fund. Zoti i bekoftë njerëzit e mëdhenj të Iranit!”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur afate, ka bërë kërkesa dhe ka lëshuar kërcënime gjatë pesë javëve të luftës së përbashkët SHBA–Izrael kundër Iranit. Por rrallëherë ato kanë qenë kaq të drejtpërdrejta.

Raundi i ri i sulmeve ndaj Iranit do të jetë shkatërrues. Ato do të fillojnë në orën 20:00 sipas kohës së Washingtonit të martën (00:00 GMT të mërkurën). Brenda katër orësh, çdo urë dhe central elektrik në vend do të “shkatërrohet plotësisht”.

“Shumë pak gjëra janë jashtë kufijve”, tha Trump të hënën.

Për të shmangur këtë fat, sipas presidentit, Irani duhet të bëjë një marrëveshje “që është e pranueshme për mua”. Një komponent i marrëveshjes duhet të përfshijë “qarkullimin e lirë të naftës” përmes Ngushticës së Hormuzit.