Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për mundësinë që Kosova të dështojë në organizimin e Lojërave Mesdhetare të 2030-ës në Kryeqytet. Duke folur për shkresën e ardhur nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, Rama tha se e njëjta ka të bëjë me faktin se Qeveria nuk i është përgjigjur e-mailave të tyre që nga janari i 2026-ës. Gjithashtu, thotë se nuk i ka kryer as pagesat.

“Këtu tregon qartë që është dashtë që nga janari i këtij viti me u përgjigj së pari në shumë e-maila që i janë dërgu Qeverisë. Po ashtu me bë pagesa për disa pjesë që ka marrë përgjegjësinë”, tha Rama.

“Qeveria është përgjegjëse për fondet. Gjatë procesit kemi pasë probleme të ndryshme. Kryeministri ka vendos që të jetë në krye të Bordit sepse ka thanë që ne po i paguajmë paret dhe ne duhet me qenë në Krye të Bordit”, shtoi ai.

Rama tha se është një numër i madh i objekteve që duhet të ndërtohen për Lojërat Mesdhetare, për të cilat duhet të ulet Komiteti Organizativ dhe të veprojë sa më shpejt.

“Nga diskutimet që kam folur me zyrtarë të Lojërave Mesdhetare, më kanë thënë që çështja është shumë serioze”, tha.