Berjani, raportit të ngushtë familjar me të parin e komunës pritet t’ia shohë frytet shumë shpejt.
Ai është futur në listë të ngushtë për intervistë me gojë për pozitën e kryeshefit në Ndërrmarrjen Publike “Fushë Kosova” e krijuar rishtazi, dhe sipas informacioneve të VOX Kosova, e ka mbështetjen e plotë të pushtetit lokal atje për ta kapur pozitën.
Vëmendje këtu: Kjo ndërmarrje u krijua më 22 shkurt të vitit 2026.
Ajo, është në pronësi e menaxhim të plotë të komunës së Fushë Kosovë që udhëhiqet nga Valon Prebreza, siç e thashë, nipi i Ekrem Berjanit.
“Po ju paraqesim propozim-vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Fushë Kosova”, si shoqëri aksionare në pronësi të plotë të Komunës së Fushë Kosovës”, thoshte Artane Rizvanolli më 20 shkurt 2026.
Nepotizmi s’është problem.
Por, se çka bën nipi Prebreza, për dajën Berjani, krenar sa s’ka më shprehet ky i fundit.
“I lumtur jam që jam daja, që është nipi im, bash i lumtur jam”.
Por, me gjasë, Berjani, ka harruar që në vitin 2021, ishte denoncuar për keqpërdorim në Prokurori gjatë kohës sa ky ishte drejtor i Zhvillimit Ekonomik në pushtetin e LDK-së.
Denoncimi, besojeni ose jo, vinte nga vetë Vetëvendosje dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Valon Prebrezës, Durim Hajra. Ky i fundit, tash drejtor i Inspektoratit në komunë.
“Si palë ndaj të cilës është ngritur kallëzim penal është Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Drejtoria e Financave”, thoshte Hajra më 14 prill 2021.
E pabesueshme e di. Vetëvendosja po i rezervon vend si kryeshef në Ndërmarrje një personi që vetë e kishin denoncuar më parë.
Për dallim nga daja i tij, kryetari i Fushë Kosovës, s’iu përgjigj interesimit të VOX Kosova për këtë çështje.
Me marrjen e postit, Valon Prebreza me sa shihet e ka ndërruar vetëm titullin në derë të zyrës.
Por, receta është e vjetër: Punësime familjare gjithandej.








