Emir Abrashi është zgjedhur Kryetar i ri i Aleancës Kosova e Re (AKR). Kështu ka bërë të ditur vetë Abrashi, përmes një postimi në Facebook të dielën. Në këtë pozitë, ai do ta zëvendësojë Behgjet Pacollin.

Abrashi tregoi se besimin për të drejtuar partinë e mori në Kuvendin e jashtëzakonshëm të AKR-së që u mbajt të shtunën, ku janë zgjedhur edhe organet e tjera drejtuese të këtij subjekti politik.

Ai thekson se për të ky është një nder i madh, por mbi të gjitha një përgjegjësi serioze ndaj qytetarëve të Kosovës. “AKR do të hyjë në një fazë të thellë reformimi dhe ristrukturimi, me synimin për të ofruar një alternativë të besueshme dhe moderne politike”.

Abrashi potencon se ky rrugëtim nuk do të jetë i lehtë, por “me përkushtim, bashkëpunim dhe mbështetjen tuaj, jam i bindur se do t’ia dalim”.

“Shpreh mirënjohjen time të veçantë për Presidentin Emeritus të AKR-së, z. Behgjet Pacolli, për mbështetjen dhe besimin e tij në këtë proces. Bashkëpunimi ynë, duke ndërthurur përvojën e tij të vyer me energjinë dhe vizionin tim, do të jetë kyç për rikthimin e AKR-së aty ku e ka vendin — në institucionet e vendit, si një zë konstruktiv, i përgjegjshëm dhe i orientuar drejt interesit publik”, shtoi ai.

Ai i uroi edhe bashkëpunëtorët e tjerë me të cilët për katër vite do ta udhëheqë partinë: Sekretarin e Përgjithshëm Liridon Llapashtica, Nënkryetarët Gjergj Beka, Festina Kurteshi dhe Bejtush Gashi, Sekretarin Organizativ Petrit Makolli, Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë Gëzim Mehmeti.

Një falënderim e pati edhe për kolegët dhe bashkëpunëtorët nga shoqëria civile për rrugëtimin e përbashkët deri më tani. “Ky bashkëpunim do të vazhdojë, në forma të reja, gjithmonë në shërbim të së mirës publike”.

AKR-ja që nga themelimi i saj në vitin 2006 e deri në vitin 2025, është udhëhequr nga biznesmeni Behgjet Pacolli.

Më 23 tetor 2025, nga AKR-ja njoftuan se Pacolli është dorëhequr nga pozita e Kryetarit të partisë. Si ushtrues detyre u caktua Vesel Makolli.