Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i ka ftuar shqiptarët që të bëhen bashkë të shtunën, në sheshin “Skënderbe”, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të protestuar kundër Gjykatës Speciale e në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nesër, më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara të Serbisë dhe Rusisë”, shkroi Ahmeti në Facebook.
Njëri nga themeluesit e UÇK-së theksoi se në protestë dalin “me përgjegjësi, për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë”.
“Liria ka emër, UÇK. Dhe ky emër mbetet pjesë e identitetit dhe dinjitetit tonë kombëtar. Ju ftoj të gjithëve që nesër të jemi bashkë”, potencoi ai ndër të tjera.
Protesta në Shkup është e pesta me radhë që po organizohet nga OVL-UÇK, pas atyre që u mbajtën në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg, ku dhjetëra mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet protestuan kundër Gjykatës Speciale.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









