Kopje të letërnjoftimeve, dokumente e të dhëna personale të ndërmarrësve pronarë të bizneseve, janë bërë të qasshme për një kohë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku. Ai, në një postim në profilin e tij në Facebook, ka ngritur alarmin për qëllimin e mundshëm të ofrimit të këtyre të dhënave private në publik.
“Shpresoj sinqerisht që të jem gabim, por kam frikë se këto të dhëna mund të jenë duke u grumbulluar për t’u keqpërdorur më vonë, përfshirë edhe për qëllime politike ndaj bizneseve. Fatkeqësisht, raste të ngjashme kemi parë edhe në të kaluarën”, shkroi Sadiku.
Këto pretendime i mohoi Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve. Në një reagim të lëshuar përmes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ARBK tha se të publikuara janë vetëm të dhënat që legjislacioni “i përcakton si publike”.
“ARBK thekson se publikon vetëm ato të dhëna të cilat legjislacioni i përcakton si të dhëna publike. Të dhënat personale ose informacionet e tjera që nuk janë të destinuara për publikim mbrohen dhe trajtohen në përputhje me kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe nuk bëhen pjesë e qasjes publike”, theksoi ARBK në reagim.
Aktualisht, faqja për regjistrimin dhe kërkimin e bizneseve në Kosovë është krejtësisht jashtë funksionit.










