Misioni diplomatik i Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje subjekteve politike dhe të deleguarve të tyre në organet zgjedhore që të sigurojnë një proces të rregullt votimi.

“Në prag të zgjedhjeve të parakohshme, BE-ja në Kosovë u bën thirrje të gjitha subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre në organet zgjedhore që të sigurojnë një votim paqësor, të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në një deklaratë të evropianëve në llogarinë e tyre në Facebook.

Bashkimi Evropian po ashtu ka theksuar se themelimi i institucioneve të reja dhe inkuadrimi i Kosovës në BE “janë thelbësore”.

BE-ja do të monitorojë zgjedhjet vetëm nëpërmjet 44 vëzhguesve të misionit të saj në Kosovë, i emërtuar “EU in Kosovo”.

Lista e publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që përmban subjektet e akredituara për monitorimin e zgjedhjeve përfshin katër misione ndërkombëtare, por jo “EU Election Expert Mission”, që është emri me të cilin rëndom regjistrohej misioni evropian.

Herë të tjera, BE-ja niste misione monitorimi, të cilat më pas nxirrnin raporte me vlerësime rreth organizimit dhe mbarëvajtjes së përgjithshme të proceseve zgjedhore në Kosovë.

Kjo është hera e parë që nga viti 2014 që Bashkimi Evropian zgjedh të mos dërgojë një grup vëzhgues në zgjedhje parlamentare në Kosovë.

Në zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit ishte vënë re ulja e numrit të vëzhguesve evropianë, që nga 104 në zgjedhjet e 9 shkurtit kishte rënë në 7 sosh.