Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Kuvendin që nuk është mbledhur pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërkohë që protestat po mbahen vazhdimisht. Ai ka kërkuar që sa më shpejt të mblidhet legjislativi që të miratojë një rezolutë për angazhim shtetëror për në Apel dhe ta obligojë Qeverinë të veprojë.

“Ende nuk është mbledhur Kuvendi i Kosovës për të debatuar dhe shprehur qëndrimet e Grupeve Parlamentare dhe të Qeverisë ndaj këtyre zhvillimeve. Duke respektuar plotësisht pavarësinë e sistemit gjyqësor, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar”, shkroi Hoti në Facebook.

Kuvendi i Kosovës, thekson ai, duhet të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Republikës së Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit në shkallën e dytë.

Para se gjithash, ai thotë se Kuvendi duhet ta bëjë të qartë: “askush nuk mund ta kriminalizojë luftën e popullit të Kosovës për mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe për liri”.

“Kuvendi duhet të kërkojë nga Qeveria mobilizim të plotë diplomatik me aleatët ndërkombëtarë që kanë kërkuar dhe mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara, në mënyrë shqyrtimi në shkallën e dytë të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë plotësisht standardet e drejtësisë”.

Populli i Kosovës, potencon ai, nuk është duke heshtur. “Ai po proteston natë e ditë në sheshin e Prishtinës. Nuk duhet të heshtin as institucionet që kanë mandat të kujdesen për ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e çdo akti që lëshohen NË EMËR TË POPULLIT TË KOSOVËS”.

Hoti tha se Kuvendi duhet të mblidhet urgjentisht “dhe të obligojë Qeveria të veprojë”. “Shteti i Kosovës duhet të flasë qartë dhe me një zë në mbrojtje të dinjitetin e luftës çlirimtare dhe interesin shtetëror të Kosovës, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e drejtësisë”.

“Ky është moment për përgjegjësi institucionale, unitet dhe veprim të koordinuar shtetëror”.

Në një vendim skandaloz, më 16 shtator, Gjykata Speciale ka dënuar me rreth 1 shekull burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë dënuar me 81 vjet burgim gjithsej.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vjet burgim.

Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me 25 vjet burgim.

Specialja e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me 18 vjet burgim.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, me 13 vjet burgim.