Me thirrjet për drejtësi ka përfunduar protesta në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe pse mot i ftohtë, me borë e shi, kjo nuk i ka penguar qindra mijëra njerëz që t’i bashkohen protestës më të madhe në historinë e pasluftës.

Sheshet e Prishtinës ishin përplot me njerëz. Turma fillonte nga sheshi “Skënderbe” dhe vazhdonte tek ai “Nënë Tereza”.

Folës i parë në protestë ishte Ismail Tasholli nga Platforma “Liria ka Emër” – organizatorja e kësaj proteste. Duke e parë turmën e madhe të njerëzve, ai tha qytetarët duan drejtësi dhe jo politikë.

“E sot, nga kjo Ditë e Pavarësisë, ne dërgojmë një mesazh të qartë për ata që gjenden në Hagë. Për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë të tjerët, ju nuk jeni vetëm. Pas jush qëndron i një komb i tërë. Pas jush qëndron historia, sakrifica jonë, liria jonë. Ata nuk janë vetëm. Ky është vetëm fillimi, nuk do të ndalemi kurrë. Drejtësi jo politikë”, deklaroi Tasholli.

Pas tij, foli e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi. Ajo tha se liria nuk ka ardhur vetvetiu, derisa kërkoi që krerët e UÇK-së të lirohen.

“Faleminderit që i shërbyet atdheut kur më së shumti kishte nevojë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi duhet të lirohen, ata e mbrojtën popullin e vet”, tha Krasniqi ndër të tjera.

Foli edhe Shqipe Krasniqi, ish-ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo kërkoi drejtësi për bashkëluftëtarët e saj.

Pjesë e protestës ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, djali i Hashim Thaçit, Endrit Thaçi, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, e akterë të tjerë politikë dhe jo vetëm.

Marshi “Drejtësi, Jo Politikë” u zhvillua në kohën kur procesi gjyqësor ndaj ish-Drejtorit të Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, ish-Shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veselit, ish-Inspektorit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka hyrë në fazën finale.

Nga e hëna e 9 shkurtit kanë nisur fjalët përfundimtare të palëve. Fillimisht qëndrimet përfundimtare i ka paraqitur Prokuroria, e cila kërkoi nga 45 vjet burg për secilin nga krerët e UÇK-së – gjë që u kundërshtua ashpër edhe nga krerët e institucioneve në Kosovë e Shqipëri – e më pas mbrojtësi i viktimave.

Pas tij, fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtja e Hashim Thaçit, ajo e Kadri Veselit dhe ajo e Rexhep Selimit. Ajo e Jakup Krasniqit filloi të premten dhe përfundoi dje (e hënë, 16 shkurt).

Më pas, trupi gjykues vazhdoi për dy orë parashtrimin e pyetjeve për palët dhe më vonë edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ndërsa, më 18 shkurt (nesër), në ditën e fundit të paraqitjes së qëndrimeve finale, fjalët përfundimtare do t’i thonë edhe katërshja e UÇK-së. Ata do t’i kenë nga 20 minuta në dispozicion.

Pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në javën kur filluan fjalët përfundimtare, më 12 shkurt përkatësisht, Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.

Nga njohësit e çështjeve juridike si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.

Kundër procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së janë zhvilluar edhe disa protesta të tjera – në Prishtinë, Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup – të cilat janë organizuar nga Organizata e Veteranëve të dalë nga Lufta e UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Për këto akuza, ata janë deklaruar plotësisht të pafajshëm.

Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-s, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Gjatë kësaj kohe, pak më shumë se dy vjet, ZPS-ja thirri 125 dëshmitarë dhe paraqiti afër 3 mijë prova materiale.