“Era e zgjedhjeve po ndihet qartë”, ka thënë Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Këto komente, Tahiri i bëri përmes një postimi në Facebook të enjten. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të mërkurën, ai theksoi se institucionet po funksionojnë në frymën e përgatitjeve të zgjedhjeve.

Derisa pyeti se pse po ndodh kjo, Tahiri theksoi se pushteti po refuzon çdo iniciativë të opozitës.

“Në Kryesi, qasja e GP të VV-së ishte e ngurtë, pasi çdo iniciativë e opozitës po refuzohet. Rezoluta për vlerat e lirisë nuk u fut në rend dite si pikë e parë, qëndrim i pabesueshëm dhe dëshmi e standardeve të dyfishta. Kjo mungesë vullneti nuk është rastësi, por reflektim i kalkulimeve elektorale”, shkroi ai.

Ndërkohë, potencon se proceset formale vazhdojnë: “intervistimi për Gjykatën Kushtetuese përfundoi me 6 emra për seancë, ndërsa në Komisionin për Legjislacion u vendos që të martën të intervistohen 23 kandidatët për KGJK-në”.

“Kur i sheh të gjitha bashkë, bllokadat, refuzimet dhe vonesat, është e qartë se fokusi nuk është më vendimmarrja, por pozicionimi politik”, pohoi Tahiri.