Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke kërkuar gjobitjen e saj për shkak të përfshirjes së një vajze të mitur në një tubim zgjedhor në Vushtrri.

Sipas IKD-së, gjatë tubimit të mbajtur më 31 maj, një vajzë që duket të jetë nën moshën 15-vjeçare ka dalë në skenë dhe ka recituar një poezi me mesazhe politike, ndërsa kishte të veshur një bluzë me logon e LVV-së.

IKD vlerëson se me këtë veprim është shkelur Rregullorja Zgjedhore Nr. 07/2024, e cila ndalon angazhimin e personave nën moshën 15-vjeçare në fushatë zgjedhore.

Për këtë arsye, organizata i ka kërkuar PZAP-it që të ndërmarrë masa ndaj LVV-së.