“Ibrahim Rugova kurrë nuk u viktimizua se ishte djali i dikujt që e kishin pushkatuar forcat serbe. Kurrë nuk shau, fyu apo ofendoi ndonjë kundërshtar politik, as në biseda private”, kështu ka thënë publicisti, Blerim Shala, duke folur për ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.
Në emisionin VOX DATA, me gazetarin Lirim Mehmetaj, Shala deklaroi se vetëm Rugova, të cilin e përshkroi si njeri të mençur e të urtë, ka mundur që t’i përballojë sprovat e viteve të ’90.
“Pra, Rugova, ka qenë një njeri shumë i urtë, shumë i mençur, shumë i gatshëm që ta përballojë një sprovë që faktikisht është paraqitur një herë në shekull për ne. Sepse, një herë në shekull ne kemi fituar. Ne asnjëherë s’kemi fituar pos në këtë ciklin e fundit historik, në këtë kapitullin e fundit historik”.
“Sepse, vetëm një figurë e tillë, aq shumë e balancuar, ka mundur t’i përballojë të gjitha ato sprova që kanë qenë, secila më e rrezikshme se tjetra. Sepse, ne kemi gravituar kah lufta prej vitit ’90 e tutje. Dhe gjithmonë është dashtë të zmbrapsemi një hap, të përgatitemi për periudhën e ardhshme dhe ta bëjmë luftën atëherë kur është dashtë, e jo atëherë kur ka kërku Serbia”, shtoi ai.
Edhe pse relativisht i ri në moshë kur hyri në politikë, Shala thekson se Rugova “ka rezonuar si një plak i odave, po gjithsesi e ka bashkëdyzuar edhe me botëkuptimin e vet perëndimor”.
“Sepse, ky ka studiuar në Francë. Pra, i ka ndërlidhur këtë urtinë, mençurinë tradicionale shqiptare me një mençuri të re moderne perëndimore. Prandaj, edhe e ka pa të paarsyeshme, të panevojshme ta fyejë dikënd, ta poshtëron dikënd, apo të materializon edhe historinë e dhimbshme të vetën”.
Përveç që jo publikisht, ai thekson se Rugova as në hapësira private nuk e ka sharë dikë dhe asnjëherë nuk është viktimizuar.
“S’ka deklarime. Jo vetëm deklarime publike, po edhe në ndeja private, edhe në biseda krejtësisht intime, ai asnjëherë nuk e ka pa të udhës të thotë – po unë jam djali dhe nipi i dikujt që e kanë pushkatuar forcat serbe do të thotë. Nuk ka pasë asnjëherë përpjekje ta materializojë këtë viktimizim real që e ka pasë si politikan dhe si njeri”.








