A po e përballoni më lehtë koston e jetesës pas qindra milionave që u shpërndanë nga qeveria përmes politikës së 100 eurove?

Ekonomia është numra dhe përjetim.

Numrat po tregojnë se ekonomia e Kosovës është në gjendje të vështirë, dhe këtë po e përjetojnë gjerësisht qytetarët në shumë dimensione.

Që nga dhjetori i vitit 2023 deri në maj të vitit 2026, në festa e sidomos para zgjedhjeve, përmes pagesave të njëhershme prej 100 eurosh për kategori të ndryshme, janë shpërndarë rreth 300 milionë euro.

Nuk ka dyshim se për shumë familje këto para kanë qenë të nevojshme.

Por, pikërisht nevoja e vazhdueshme për ndihma të tilla tregon se problemi i standardit jetësor nuk po zgjidhet me një pagesë të vetme, të patargetuar dhe të paplanifikuar, shkruan VOX Kosova.

Prandaj edhe Kosova mbetet vendi i dytë më i varfër në Evropë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin për Kosovën të vitit 2026, ka vlerësuar se ndihmat e shpërndara pa targetim janë joefikase.

Ekonomia e Kosovës, që ende e ka një bazë të fortë te paratë nga diaspora, mbetet kryesisht ekonomi konsumi, e varur nga importi.

Në vitin 2025, importet e Kosovës arritën në rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksportet ishin vetëm 940 milionë euro. Në korrik të vitit 2026, eksportet ishin 104 milionë euro, kurse importet 720 milionë euro.

Se për qytetarët është vështirësuar kostoja e jetesës, këtë e tregojnë edhe shifrat e inflacionit.

Në shtator të këtij viti, inflacioni vjetor arriti në 7.8 për qind, niveli më i lartë në Ballkan.

Nafta, e cila është pjesë e një problemi global, ka qenë një nga katalizatorët kryesorë të kësaj rritjeje.

Por Qeveria e Kosovës refuzoi të ulë akcizën për derivatet dhe të ndërmarrë lehtësime në politikat fiskale që do ta zvogëlonin barrën financiare për qytetarët.

“Ju thatë, jo duhet të hiqet akciza, jo TVSH-ja, jo të dyja. Të nderuar deputetë, nuk është hera e parë që e kërkoni këtë gjë prej Qeverisë sonë”, tha Kurti në prill në një seancë të Kuvendit të Kosovës.

“Që sa vjet jam kryeministër, gjithmonë keni kërkuar me raste të caktuara: ‘hiqe akcizën’, herë ‘hiqe TVSH-në’, dhe nuk e kom ba asnjanën, janë majtë zgjedhjet edhe veç kom fitu ma shumë a e kuptoni?”

“Në vazhdimësi, në secilën krizë apo luhatje, që kanë qenë shumë në këto 6 vitet e fundit, të parat masa të propozuara kanë qenë heqja apo ulja e TVSh, e në këtë rast edhe e akcizës për naftën. Në pamje të parë, kjo duket si zgjedhje e thjeshtë dhe e shpejtë, por në realitet është zgjedhje e kushtueshme dhe me efekt të pasigurt.”

“Në një kalkulim të thjeshtë, kostoja mujore do të ishte minus 10 milionë euro për buxhetin e shtetit, vetëm për një muaj. Nuk mund të heqësh akcizës, e të mos heqësh shpenzime të tjera të caktuara, që mund të jenë pensionet, shtesat për fëmijë e nëna lehona.” – tha Kurti. 

Qeveria u mjaftua me një ligj për çmimet tavan, i cili, në realitet, nuk solli asnjë ndryshim dhe më vonë, edhe zbatimi i tij u anulua.

Shtetet e tjera ndërmorën masa konkrete për të lehtësuar barrën e qytetarëve.

Në Ballkan, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut ulën akcizën ose TVSH-në për naftën dhe benzinën.

Vendime të ngjashme morën edhe shtete të tjera evropiane, si Gjermania dhe Spanja.

Disa madje shkuan edhe më tej.

Suedia dhe Letonia ulën tatimet për produktet bazë të shportës së konsumatorit, si buka, qumështi, mishi dhe vezët.

Përveç naftës, energjia është bërë njëra ndër barrët më të mëdha për qytetarët në Kosovë.

Nga janari i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2026, Kosova ka shpenzuar rreth 1.03 miliard euro për importin e energjisë elektrike. Qytetarët e paguajnë këtë varësi përmes buxhetit të shtetit dhe faturave të energjisë, të cilat janë shtrenjtuar dy herë.

Imagjinojeni sikur ato 300 milionë euro të ishin investuar në prodhimin e energjisë, për ta lehtësuar këtë barrë në mënyrë afatgjatë, ndërsa ky 1 miliard euro i shpenzuar për import të ishte investuar në ekonomi prodhuese, për ta zvogëluar varësinë nga importi.

Ose sikur këto mjete të ishin orientuar në fusha të tjera: në shëndetësi, për kushte më të mira dhe barna pa mungesa; në bujqësi, për kompensimin e dëmeve; apo në polici, për uniforma, fotokopje dhe vetura.

Në dhjetor, ashtu siç e ka bërë tashmë ritual qeveria, është radha për 100 euro të tjera dhe për spektaklin propagandistik që shoqëron shpërndarjen e tyre.

Dhe, sërish, vlen pyetja e fillimit.

A do t’ua bëjnë këto 100 euro më të lehtë jetën gjatë gjithë vitit? / VOX Kosova.