Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke lobuar muajt e fundit për zvogëlimin e operacionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovës, ka shkrur të enjten gazeta prestigjioze amerikane “Politico”, duke cituar katër diplomatë të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.
“Politico” shkruan se kjo çështje “shqetëson edhe më shumë aleatët evropianë, ndonëse diskutimet janë në fazë të hershme”.
Engjellushe Morina, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, i ka thënë prestigjiozes amerikane se misioni mbetet “i pazëvendësueshëm” për sigurinë rajonale. Sipas saj, një tërheqje e NATO-s “mund të inkurajojë separatistët serbë në veri të Kosovës dhe të krijojë efekt zinxhir në Republikën Srpska të Bosnje e Hercegovinës”.
“Jemi mjaft të shqetësuar”, ka thënë për “Politico” një diplomat i lartë i NATO-s, pasi “gjërat në Ballkanin Perëndimor mund të përshkallëzohen shpejt”.
Një zyrtar i NATO-s deklaroi se “nuk ka afat kohor të lidhur me Misionin e NATO-s në Irak apo me KFOR-in”, duke shtuar se këto misione bazohen në nevojë dhe rishikohen periodikisht.
Në artikull theksohet se për momentin “nuk është marrë asnjë vendim për përfundimin e tyre. Të 32 aleatët duhet të miratojnë fillimin dhe përfundimin e misioneve”.
Përveç Kosovës, në artikullin e gjatë të “Politico”-s, thuhet edhe se SHBA-të nën udhëheqjen e Donald Trump-it “po ushtrojnë presion mbi NATO që të shkurtojë shumë prej aktiviteteve të saj jashtë territorit tradicional, përfshirë përfundimin e një misioni kyç të aleancës në Irak”.
Theksohet edhe se SHBA-ja ka lobuar për të mos lejuar që Ukrainën dhe aleatët e Indo-Paqësorit të marrin pjesë zyrtarisht në samitin vjetor të korrikut të aleancës në Ankara.
“Kjo përpjekje pasqyron një orientim të Shtëpisë së Bardhë për ta trajtuar NATO-n si një pakt strikt euroatlantik të mbrojtjes dhe për të tërhequr mbrapsht dekada zgjerimi në menaxhimin e krizave, partneritete globale dhe iniciativa të bazuara në vlera — fusha që prej kohësh kanë irrituar presidentin amerikan dhe bazën e tij MAGA”, shkruan ndër të tjera “Politico”.









