Më 23 shtator të këtij viti, Albin Kurti dhe Shpejtim Bulliqi dolën para kamerave për të lavdëruar veten.
Ata përuruan me mburrje Poliklinikën Specialistike në Podujevë, një projekt që kushtoi mbi 2 milionë e 400 mijë euro dhe që sipas tyre është “i pajisur me aparatura të teknologjisë së fundit”.
Por, realiteti në mes të deklaratave të Kurtit e Bulliqit dhe situatës faktike ka në mes një mal të madh.
Rinor Rama, një qytetar i Podujevës që e ka dërguar vëllain e tij për ta kontrolluar në këtë Poliklinikë pasi që ishte therur para disa ditësh me thikë, të mërkurën është përballur me një situatë absurde: kur mjeku deshi t’i lexonte CD-në me rezultatet e CT-së së mushkërive, s’kishte pajisje.
Çfarë pason është e pabesueshme.
Mjeku i thotë Ramës se punë mund t’i kryej vetëm nëse ai ka laptop personal. I gjendur mes këtij absurdi, Rama sjellë laptopin në poliklinikën multimilonëshe, duke qenë kjo e vetmja mundësi për të kryer punë.
Këtë ngjarje e pranon edhe doktori Avni Behluli, i cili i kërkoi ta sillte laptopin e vet. Por ai thotë se këto gjëra nuk është mirë të dalin në publik.
VOX Kosova kontaktoi edhe Kryetarin e Podujevës Shpejtim Bulliqin, por ai e ndali telefonin.
Mungesa e gjërave elementare është e vërteta e poliklinikës që Kurti dhe Bulliqi e quajtën “institucion bashkëkohor”.
Një ndërtesë e re, por pa funksion bazik.
Një “teknologji e fundit” që s’mund të lexojë as një CD.
Historia nuk mbaron këtu.
Objekti ku sot ndodhet kjo poliklinikë ishte ndërtuar për të qenë spital. Madje ky ishte premtimi kryesor i Bulliqit në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Por spitali nuk u bë kurrë.
Në vend të tij, Bulliqi dhe Kurti e quajtën “sukses” një poliklinikë që ka mungesë të gjërave bazike.
Një fasadë propagandistike që flet më shumë për mashtrimin politik sesa për kujdesin ndaj qytetarëve.