Në Kosovë, mendimi i lirë e kritik ka filluar të shndërrohet në krim dhe, për këtë, ndëshkohesh e mbikëqyresh nga pushteti me trupa që shërbejnë si Polici e Mendimit, bash si në romanin 1984 të George Orwellit.

Nëse nuk e keni përjetuar personalisht, ka individë që janë ndëshkuar nga pushteti i Vetëvendosjes vetëm pse kanë folur në mënyrë kritike, pa akuzuar, ofenduar apo shpifur.

Para disa javësh, arkeologu Shafi Gashi, që punon në Institutin Arkeologjik të Kosovës, institucion nën varësi të Ministrisë së Kulturës, u ndëshkua me heqje të 30% të pagës për 3 muaj, vetëm pse shprehu në media kritika rreth mungesës së investimeve në Kalanë e Prizrenit dhe mbylljes për vizitorë të një pjese të saj.

Për arkeologun që ka dhjetëra botime shkencore dhe ka drejtuar dhjetëra gërmime arkeologjike nëpër Kosovë, u ngrit Komision Disiplinor dhe anëtarët e tij arsyetimin për ndëshkim e patën se Gashi “ka folur pa leje paraprake nga hierarkia”.

Kjo, para se të jetë për të qeshur, është në fakt e frikshme.

Të ndëshkohesh pse ke folur dhe pse ke menduar ndryshe është një logjikë e shteteve autoritare.

Të tillë e quajtën aktin e Ministrisë së Kulturës edhe dy historianë të njohur ndërkombëtarë, Oliver Schmidt dhe Konrad Clewing, të cilët kanë studiuar thellësisht historinë e Kosovës.

Sipas tyre, raste të tilla janë të zakonshme në vendet me kulturë politike autoritare. Ata, duke reaguar për rastin e Gashit, përmendin edhe një rast në Rumani, ku arkeologu Ioan Piso u hoq nga detyra si drejtor i hapësirës më të rëndësishme arkeologjike të vendit, pasi kishte udhëhequr një protestë kundër një miniere ari, gjë që kishte zemëruar qarqe me ndikim politik.

Kur për ndëshkimin e arkeologut Gashi, ministria e Kulturës thirret për respektimin e hierarkisë bazuar edhe në Ligjin për Zyrtarë Publik, a do të vepronte njëjtë nëse ai do të shprehte lëvdata për këtë pushtet, pa marrë leje paraprake nga hierarkia?

Natyrisht që jo.

Historia 6-vjeçare e këtij pushteti ka treguar se ata që i janë bindur dhe i janë servilosur skajshmërisht, ata që kanë mprehur gjuhën për të sharë, akuzuar e bullizuar gazetarët e kritikët e pushtetit, vetëm janë avancuar e rehatuar në institucione, qoftë në poste politike apo në administratë.

Kjo Polici e Mendimit në Kosovë nuk ndëshkon vetëm ata që punojnë në administratë shtetërore. Organizon përjashtime, ndëshkime dhe etiketime edhe për qytetarë të lirë, të rinj me ambicie e angazhim.

Më 12 gusht, Olsa Sadiku qëlloi të ishte në sallën e Kuvendit të Kosovës si vizitore, kur deputetë të Vetëvendosjes dhe të Partisë Demokratike të Kosovës po përplaseshin për thirrjen e seancës.

Kur po fillonte ballafaqimi, ajo e dha një mendim për situatën politike në Kosovë:

“Po de që dy vjet s’kemi qeveri, pse me e lanë?”, tha ajo.

Ky mendim krejt spontan i kushtoi.

Olsa vjen nga Obiliqi dhe, si e re, kishte filluar iniciativën që ta themelonte degën e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës në komunën e saj.

Kuvendi i të Rinjve, që është veç organizatë joqeveritare, mori vendim të ndërpresë bashkëpunimin me Olsën vetëm pse ajo dha mendim në sallën e Kuvendit.

Këto përjetime të arkeologut Gashi dhe të Olsës nuk janë aspak raste të izoluara.

Janë simptoma të një mendësie qeverisëse të rrezikshme.

Dhe këto të kujtojnë eksperimentin me bretkosën.

Kur atë e hidhni në ujë të nxehtë, ajo del menjëherë. Por nëse e vendos në ujë të ftohtë dhe e ngroh ujin gradualisht, bretkosa mësohet pak nga pak me temperaturën, derisa nuk e kupton se uji është bërë i rrezikshëm.

Prandaj, edhe kufizimi i mendimit të lirë nuk vjen gjithmonë me një ndalim të madh. Vjen me një ndëshkim, një përjashtim, një etiketim, një presion, një “leje paraprake” për të folur.

Nëse mësoheni me secilën prej tyre, një ditë mund të zbuloni se uji është bërë aq i nxehtë e i rrezikshëm sa nuk keni më forcë të hidheni jashtë.