Policia e Kosovës ka njoftuar për tri raste të vdekjeve brenda 24 orëve, për dy prej të cilave tha se ka nisur hetimet.
Në raportin 24 orësh, policia ka njoftuar për një rast në Prishtinë, ku thuhet se viktimës, pasi i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku aty ka ndërruar jetë.
“Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Rasti tjetër ka ndodhur në Gjakovë. Viktima ka vdekur në spitalin rajonal.
“Raportohet se në spitalin rajonal ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Në Fushë Kosovë është regjistruar rasti tjetër. Në raport thuhet se ka ndodhur një aksident i trafikut, ku si pasojë viktima njoftohet se ka pësuar lëndime të rënda dhe ka vdekur në vend të ngjarjes.
“Raportohet se në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku në mes të një motoçiklisti mashkull shtetas i huaj dhe viktimës mashkull kosovar (këmbësor)”, thuhet aty.
Me vendim të prokurorit potencohet se trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.









