Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar se bazuar në veprimet fillestare hetimore që janë ndërmarrë deri më tani, dyshohet se nga zyrtarët policorë që kanë reaguar dhe kanë hyrë në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë “nuk janë përfillur disa nga procedurat e parapara me Planin Operativ të Policisë së Kosovës të përgatitur për këtë proces zgjedhor”.
“Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar të ndërmarrin veprime paraprake hetimore për të verifikuar pretendimet se zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime hetimore në QKN pa autorizimin e prokurorit kompetent”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Ky veprim i IPK-së vjen pasi që thonë se kanë pranuar një ankesë dhe informacione të hënën në orët e mbrëmjes lidhur me reagimin policor në QKN të votave në Mitrovicë.
“Sidoqoftë, IPK do të ndërmarrë edhe veprime të tjera në koordinim të plotë edhe me Prokurorinë e Shtetit duke përfshirë edhe konsultat me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”.









