Mijëra qytetarë janë mbledhur edhe këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke shënuar natën e 13-të radhazi të protestave kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Protesta ka nisur në orën 21:00 dhe po zhvillohet nën moton “Jo në emrin tim”.

Në shesh janë parë flamuj të UÇK-së e flamuj kombëtarë, ndërsa qytetarët kanë mbajtur edhe banerë me mbishkrimin “Liria ka emër”.

Në mesin e protestuesve ka qytetarë të moshave të ndryshme, përfshirë familje me fëmijë dhe të moshuar, ndërsa sheshi është mbushur me simbole të UÇK-së.

Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka paralajmëruar se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Për UÇK-në, nuk lodhemi. Për të vërtetën tonë, nuk heshtim. Do të jemi këtu, natë pas nate, derisa zëri ynë të dëgjohet”, ka shkruar Haziri para protestës.

Protestat nisën më 16 shtator, ditën kur Dhomat e Specializuara shpallën fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet, në një total prej 81 vjetësh burgim.

Tubimet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë zhvilluar edhe jashtë Kosovës, me organizime të diasporës shqiptare. Protesta janë mbajtur në Cyrih e Gjenevë, ndërsa tubime të tjera janë paralajmëruar në Vjenë, Shtutgart, Hamburg, Dyseldorf, Londër, Oslo, Grac, Trevizo, Karlsruhe, Lindau dhe Shkup.

Organizatorët kërkojnë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe mbështetje financiare nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e të dënuarve gjatë procesit të apelit.

Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të Kosovës, ndërsa platforma “Liria ka Emër” ka paralajmëruar një tubim masiv në Prishtinë më 1 tetor.