Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është shprehur i gatshëm për bisedime me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për koalicion eventual qeverisës, por fillimisht ka kërkuar largimin e Dimal Bashës nga pozita e Kryetarit të Kuvendit, për shkak të artikullit të tij kundër UÇK-së.
“Ne në një kohë kemi qenë të kritikuar shumë, dhe shpesh pa arsye, sepse nuk është kuptuar për çka po flasim. Brenda 24 orëve, kur më thërret Kryeministri i vendit tim, qoftë ai nga opozita apo nga pozita, për tema nacionale, unë jam aty, sepse nuk kam një Kosovë rezervë”, ka thënë Limaj në një intervistë për Klan Kosova.
Kreu i NISMA-s deklaroi se politikën nuk e bën me inate personale, por nëse nuk është ai që i vendos gjërat, “kur ka tema nacionale, prapë unë ulem në tavolinë”.
“Edhe sot po e them: për çështje nacionale, kurdo që të më ftojë Kryeministri i vendit tim – kushdo qoftë ai që ka mandatin legjitim nga ky popull, unë ulem në tavolinë. A pajtohemi apo jo, është temë tjetër”, shtoi.
Në takime shkon, thotë se i mbron qëndrimet e veta dhe mundohet të jap këshillat e tij. “Sepse jemi duke folur për të njëjtën tokë, për vendin tonë”.
Por, ai po kërkon me ngulm largimin e Bashës nga pozita e kreut të Kuvendit.
“Për mua z. Basha nuk është kryetar i Kuvendit. Nuk e pranoj. Ai është i zgjedhur që të jem i qartë, unë nuk e pranoj për kryetar të Kuvendit. Nuk kam asgjë me personin privat të tij, por këtu duhet të kemi një standard”, deklaroi.
Për të është hera e parë që nuk e pranon një udhëheqës të një institucioni, por thotë se ka arsye.
“Duhet të kthehet gjendja në normalitet, ose përmes dorëheqjes, ose përmes shkarkimit. Sepse, kurdo që të mblidhet Këshilli i Sigurimit, ky njeri do të përdoret në tavolinë”.
Limaj insiston se Basha duhet të jetojë me gabimet e veta, prandaj dorëheqja në prizmin e tij është e domosdoshme.
“Kryetari i Kuvendit ka bërë një punim shkencor. Është një dokument i menduar nga një intelektual, të cilin Kosova ka pranuar ta ketë në krye të Kuvendit. Kjo është hipokrizia për të cilën po flas. Ai zotëri duhet të dalë dhe të japë dorëheqje dhe duhet të jetojë me gabimin e tij”, pohoi ai.









