Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill, i pyetur se pse ka vendosur që të dëshmojë në Hagë, si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka thënë se Hashim Thaçi është i privuar nga liria që një kohë të gjatë dhe se nuk e beson që ai të ketë bërë diçka të paligjshme.

“Epo, siç thuhet, koha nuk i shëron të gjitha, por mendoj se 25 vjet janë një periudhë e konsiderueshme për të reflektuar mbi gjërat, dhe unë, para së gjithash, nuk kam asnjë arsye të besoj se Thaçi ka qenë i përfshirë në një veprimtari të tillë”, tha Hill në ditën e dytë të dëshmisë së tij.

Ai theksoi se “nuk kam asnjë arsye të besoj, dhe as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar ndonjë veprimtari të paligjshme”.

“Dhe sa kam kuptuar, ai ka qenë i privuar nga liria për një kohë të gjatë për këto çështje, prandaj, kur më kërkuan, mendova se duhej të tregoj atë që di për situatën”, shtoi.