Ish-Presidentja, Vjosa Osmani, i ka cilësuar “zhvillime të mirëseardhura” deklarimet nga Bashkimi Evropian se janë arritur kushtet për hapjen e urës mbi Ibër në Mitrovicë dhe për marrjen e kontrollit gradual të sigurisë nga ana e Policisë së Kosovës aty.
“Për më shumë se 27 vjet, ndarja e Mitrovicës, përveçse krijoi pasiguri dhe probleme në sundimin e ligjit, mundësoi spastrimin etnik të shqiptarëve dhe uzurpimin e pronave të tyre, e njëkohësisht i dha Serbisë alibi për të vazhduar me ëndrrat e saj hegjemoniste për ndarjen e Kosovës”, shkroi Osmani në profilin e saj në Facebook.
Sipas saj, “qarkullimi i lirshëm, përveçse bashkon njerëz, mbi të gjitha është një hap historik drejt luftimit të tendencave të Serbisë për gllabërim territoresh”.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka konfirmuar nisjen e nisjen e “tranzicionit gradual të pranisë” së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke thënë se ky proces do të jetë “gradual” dhe “në varësi të kushteve”.
Pas këtij njoftimi nga KFOR, nga Bashkimi Evropian thanë se janë arritur kushtet për hapjen e urës kryesore mbi Ibër.
Për BE-në, ky kusht është përmbushur pas njoftimit nga KFOR-i.
“Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë: pasi të kompletohen punimet në urën Austerlitz në Mitrovicë, si dhe vlerësimet dhe konsultimet shtesë, ura duhet të hapet. Mund të konfirmojmë, siç është përmendur tashmë në raportin vjetor të vitit të kaluar, se ky është vërtet rasti”, thuhet në përgjigjen e BE-së për express.
“Si pjesë e mekanizmit me tri nivele të reaguesve të sigurisë në Kosovë, Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është informuar në mënyrë të duhur nga KFOR-i për tranzicionin gradual të pranisë së përhershme. Misioni do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për të garantuar siguri të përshtatshme për të gjitha komunitetet në të gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me mandatin e tij”, shton.









