Policia e Kosovës ka njoftuar për katër raste të vdekjeve brenda 24 orëve, për të cilat tha se ka nisur hetimet.

Në raportin 24 orësh, policia ka njoftuar për një rast në Fushë Kosovë, ku thuhet se viktima, mashkull kosovar ka rënë nga një lartësi prej rreth tre metrash nga një objekt në ndërtim, në pjesën e paraparë për vendosjen e liftit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, thuhet në raport.

Rasti tjetër është regjistruar në Ferizaj. Viktima ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Raportohet se viktima, femër kosovare, fillimisht është dërguar në Emergjencën e Ferizajt, e më pas në QKUK-Prishtinë, ku edhe ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është liruar familjarëve”, thuhet aty.

Në Lipjan ka ndodhur rasti i tjetër. Në raport thuhet se një mashkull, shtetas zviceran, i cili ka qenë duke pritur për të udhëtuar për në Zvicër, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore. “Megjithëse i është ofruar ndihma mjekësore, ai ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”.

“Hetim i vdekjes” është iniciuar edhe në Ferizaj. Policia njofton se viktima, femër kosovare, fillimisht është dërguar në Emergjencën e Ferizajt, e më pas në QKUK-Prishtinë, ku edhe ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është liruar familjarëve.