Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e ndjek datën 27 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Gjini theksoi se VV-ja nuk kanë pasur problem “as me Vlora Çitakun as me Kujtim Shalën, as me ‘popullin serb’”.
“Ju kemi thënë, po e ndjekin datën 27 dhjetor. Prej sot, 60 ditë afat për zgjedhje të presidentit, plus deri në 45 ditë zgjedhjet. Tash e ka 27 dhjetorin që e ka kërkuar. Nuk kanë pasur problem as me Vlora Çitakun as me Kujtim Shalën, as me ‘popullin serb’”, shkroi Gjini në Facebook.
Problemi, theksoi ai, “ka qenë me e mbërri datën e sotme. Afatin”.
Për Kurtin, sipas Gjinit, tashmë qytetarët “e dinë se është mashtrues e manipulator”. “Nëse doni, shkojmë në zgjedhje! Mos u frikësoni prej zgjedhjeve!”.
Në mbrëmjen e së shtunës, VV-ja njoftoi se në seancën konstituive të së dielës do t’i votojë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga PDK dhe LDK, përkatësisht Çitakun dhe Shalën, ndonëse një ditë më parë, në seancën e së premtes nuk e bëri.
Por, PDK kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë dhe paralajmëruan se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, njoftuan se e kanë tërhequr përkohësisht kandidaturën e Çitakut.
Se VV-ja do ta shtynte konstituimin e Kuvendit më 13 shtator, Gjini e kishte parlajamëruar para disa ditës, duke thënë se qëllimi final është që t’iu mundësohet caktimi i zgjedhjeve të reja më 27 dhjetor.









