Ndonëse në fillim kishte thënë se nuk i ka parë kërkesat e Ambasadës Amerikane qe Kosova të pranoj përfshirjën në projektin e gazit amerikan, tash të enjten Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se çështja e përfshirjes së Kosovës në këtë projekt nuk mund të reduktohet në një përgjigje të thjeshtë “po” ose “jo”.

Ajo ka theksuar se vendimmarrja për tema të tilla duhet të bazohet në diskutime serioze ndërmjet institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve të fushës.

“Shikoni, sa i përket kësaj çështje, unë mendoj që a duhet Kosova ta pranojë apo jo gazin, nuk është çështje e përgjigjeve po ose jo. Mendoj që është shumë e rëndësishme që të ketë diskutime në nivel të institucioneve përgjegjëse, në nivel të ekspertëve, në mënyrë që të diskutohet për përfitimet, për koston që ndërlidhet në raport me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për aspekte të tjera të cilat u takojnë ekspertëve të fushës që të merren me këto. Kosova asnjëherë nuk ka thënë jo projekteve që janë në të mirën e interesit publik, në të mirën e Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj. Mirëpo për tema të tilla duhet që të ketë diskutime serioze”, tha Haxhiu.

Sipas Haxhiut, Kosova asnjëherë nuk ka refuzuar projekte që janë në interes publik dhe në dobi të shtetit e qytetarëve të saj, por ka nënvizuar se çështje të kësaj natyre kërkojnë analiza të detajuara dhe trajtim profesional.

“Ne nuk ia kemi mbyllur derën diskutimeve serioze, jemi të hapur që të diskutojmë për këtë. Ministrja Rizvanolli ka diskutuar për këtë çështje dhe po punon në këtë drejtim, prandaj le t’i japim mundësinë institucioneve përgjegjëse që të japin përgjigjen finale për këtë. Në qoftë se Kosova, Republika e Kosovës sheh një zgjidhje tjetër si një zgjidhje më të mirë, atëherë pse duhet që të kritikohet dhe pse duhet që qeveria apo institucionet e Republikës së Kosovës të konsiderohen antiamerikane. Institucionet e Republikës së Kosovës punojnë për interesat e qytetarëve dhe natyrisht mbështesin projekte që janë në favor të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve. Mirëpo kjo nuk ishte dashur me u pa si antiamerikanizëm dhe mendoj që me këtë qasje nuk po i ndihmojmë as Republikës së Kosovës, por as partneritetit”, shtoi U.D Presidentja, Haxhiu.