Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se turistët e huaj po anulojnë rezervimet për shkak të protestave që po mbahen që 14 ditë në Shqipëri.
“Dua të ndalem tek një simptomë shumë problematike, e cila po forcohet dita-ditës anulimet e rezervimeve për sezonin nga turistët e huaj. Kam marrë shumë mesazhe, por natyrisht që unë nuk mund të dal dhe ta përdor këtë që të thuhet ‘do të ndalosh protestën se t’u dogj shpirti për hotelet'”, tha Rama të dielën në podcastin e tij Flasim.
Sipas Ramës, me këto protesta po “sabotohet” turizmi. “Turizmi është një burim kaq i madh dhe kaq i rëndësishëm dhe këtë vit parashikohet të jetë një sezon më i suksesshmi ndonjëherë, por nëse kjo situatë do të vazhdojë dhe nëse anulimet do të vazhdojnë ky nuk do të jetë një sezon i suksesshëm, ky do të jetë një sezon i sabotuar nga vetë ne nga vetë ne. Një gjë e paimagjinueshme, por që faktikisht mund të ndodhi dhe simptomat janë”, deklaroi ai ndër të tjera.
Protestat në Shqipëri kanë filluar që 14 ditë. Ato po mbahen çdo ditë nga ora 18:00.
Qytetarët e Shqipërisë po protestojnë për të kundërshtuar projektin për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës, në rrethinën e Vlorës.
Protestuesit po kërkojnë edhe dorëheqjen e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.









