Albena Reshitaj, ish-deputete e Partisë Guxo – pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – i është bashkuar ish-Presidentes Vjosa Osmani për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Lajmi është bërë i ditur nga Osmani, përmes një postimi në Facebook, të premten.
“Një bashkëpunim i filluar më shumë se një dekadë më parë, e i ndërtuar mes sfidash e suksesesh të përbashkëta, po vazhdon edhe sot. Prof.asoc.dr. Albena Reshitaj, ish ministre, deputete në 4 mandate, e mbi të gjitha një grua parimore dhe me bindje politike të qëndrueshme, ka dëshmuar vazhdimisht se nuk dorëzohet para asnjë sfide apo kërcënimi, kur është në pyetje mbrojtja e interesit të Kosovës”, shkroi Osmani.
Ajo kujtoi se kur ishte zgjedhur Presidente në vitin 2021, Reshitaj kishte krijuar kuorumin e nevojshëm “dhe bllokoi rolin e Listës serbe në krijimin e institucioneve, pa asnjë interes personal e pa kërkuar absolutisht asgjë”.
“Ajo dëshmoi shumëherë, e po e dëshmon edhe sot se politika mund të ndërtohet mbi dinjitet, integritet dhe vizion për Kosovën, e gjithnjë e palëkundur para atyre që nuk e njohin Kosovën si dhe para atyre që dojnë të shkatërrojnë gjithçka që është ndërtuar me sakrificë. Kosova ka nevojë për njerëz që dijnë të punojnë bashkë, e jo për të tillë që dojnë të shkatërrojnë njëri-tjetrin”, potencoi Osmani.
Përveç Reshitajt, nga Grupi Parlamentar i VV-së që i janë bashkuar Osmanit është edhe Haxhi Avdyli e Jeta Statovci.
Osmani po rikthehet në politikën aktive pasi që nuk u kandidua nga VV-ja edhe për një mandat si Presidente e vendit, ndonëse kishte shprehur hapur ambiciet.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, ajo do të garojë bashkë me LDK-në. Osmani do të jetë bartëse e listës dhe pritet që t’i ketë rreth 20 kandidatë për deputetë.









