El Nino është agjenti natyror i kaosit që përsëritet periodikisht në planet, duke çrregulluar modelet e motit, duke rritur temperaturat globale dhe duke arritur zakonisht fuqinë e tij të plotë rreth muajit dhjetor.

Por El Nino i këtij viti, i cili pritet të thyejë rekorde, është tashmë i fuqishëm dhe po jep ndikime të mëdha, duke ngritur temperaturat globale e duke shkaktuar periudha të thatësirës dhe dështim të të korrave në disa kontinente.

Pjesë të Panamasë, zakonisht një nga vendet më me lagështi në Tokë, nuk kanë pasur një stuhie të madhe që nga fillimi i majit.

Lartësitë pjellore të Etiopisë po kalojnë një nga periudhat e tyre më të thata verore në katër dekada.

Ndërsa India regjistroi qershorin e saj të pestë më të thatë që nga fillimi i regjistrimeve moderne të reshjeve në atë vend në vitin 1901.

“Kjo është një shenjë e qartë se efekti i El Nino-s ka filluar të ndihet me të vërtetë”, tha Chris Funk, drejtor i Qendrës për Rreziqet Klimatike në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, transmeton New York Times.

Dr. Funk e quajti këtë një “El Nino me nisje të hershme”.

Këto pasoja në terren pasqyrojnë madhësinë e ndryshimeve në Oqeanin Paqësor, ku fenomenti El Nino zhvillohet kur akumulohen ujëra me temperatura pazakonisht të ngrohta.

Këto episode ndodhin çdo dy deri në shtatë vjet dhe kanë kontribuar në luhatjet e planetit prej mijëra vitesh. Por ky i këtij viti është në rrugën e duhur për të qenë më i fuqishmi në pothuajse 80 vjet regjistrime.

Shkencëtarët po debatojnë nëse ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po rrisin gjasa për ngjarje më të fuqishme dhe më të shpeshta të El Nino-s.

Episodet e El Nino-s në dekadat e fundit kanë qenë krahasimisht të fuqishme.

Mirëpo, variablat që kombinohen për të krijuar një El Nino janë të ndërlikuara, dhe disa ekspertë argumentojnë se trendi i fundit mund të jetë thjesht një luhatje rastësore.

Ajo që është e qartë është se luhatjeve te El Nino-s po i shtohen stuhite më të fuqishme, periudhat më të thata dhe zjarret më të egra pyjore që ngrohja globale po sjell tashmë.

El Nino do t’i amplifikojë këto dukuri në disa rajone dhe mund t’i ngrejë temperaturat globale në nivele rekorde vitin e ardhshëm, ndërsa nxehtësia nga Paqësori shpërndahet në mbarë botën.

“Ajo që do të shohim në vitin 2027 është një pamje paraprake se cila do të jetë ‘normalja e re’ në vitin 2035,” tha Zeke Hausfather, shkencëtar i klimës në “Berkeley Earth”, një organizatë kërkimore jofitimprurëse.

“Do të shohim gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë më parë në historinë tonë sa i përket temperaturës, kushteve të thatësirës dhe nxehtësisë ekstreme”

Një vit me nxehtësi ekstreme

Episodet e El Nino-s maten duke parë temperaturat e sipërfaqes së detit në një zonë të caktuar drejtkëndëshe të Oqeanit Paqësor. Temperaturat atje janë rritur ndjeshëm gjatë tre muajve të fundit, dhe parashikimet sugjerojnë se, deri në fund të vitit, ato mund të kalojnë nivelet normale më shumë se sa gjatë El Nino-ve më të fuqishëm në historinë moderne, të cilët ndodhën në vitet 1982-83, 1997-98 dhe 2015-16.

Për periudhën mes tetorit dhe dhjetorit, Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) thotë se ka një shans prej 81 për qind që kushtet e El Nino-s të jenë “shumë të fuqishme”, që do të thotë se temperatura mesatare tremujore në atë zonë të Paqësorit do të jetë 2 gradë Celsius (ose 3.6 gradë Fahrenheit) më e lartë se normalja. Por parashikimet tregojnë se temperaturat ditore të oqeanit gjatë kësaj periudhe mund të ngrihen deri në më shumë se 3 gradë Celsius mbi normalen.

“Mund të mos duket edhe aq e madhe: tre apo edhe katër gradë. Këtë variacion temperature e shohim brenda një dite”, tha Samantha Stevenson-Karl, profesoreshë e asociuar dhe modeluese e klimës në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara. “Por oqeani nuk ndryshon kaq shumë. Thuajse kurrë”.

Nxehtësia e tepërt në ujërat e Paqësorit ndikon edhe në temperaturat e ajrit.

Për muajt e parë të vitit, 2026 ishte qartësisht më i freskët se viti 2024, i cili ishte viti më i nxehtë i regjistruar në planet. Por Dr. Hausfather përsëri i jep vitit 2026 një shans prej 40 për qind për të qenë viti më i ngrohtë i Tokës në historinë e regjistrimeve, një shenjë kjo se si mund të luhatet lavjerrësi.

Sipas NOAA-s, muaji i kaluar u barazua me korrikun e vitit 2024 si korriku më i ngrohtë në botë që nga fillimi i mbajtjes së regjistrimeve globale në vitin 1850.

Rritje e urisë akute

El Nino shkakton zhvendosje të mëdha në erërat që fryjnë ajër me lagështi përmes oqeaneve, dhe ndikimet në bujqësinë që varet nga reshjet e shiut po shfaqen tashmë në disa rajone.

Deri në fund të vitit, El Nino mund të bëjë që pothuajse 50 milionë njerëz më shumë në mbarë globin të përjetojnë uri akute, një rritje prej afërsisht një të pestës, sipas Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara.

Në skajin perëndimor të Paqësorit tropikal, El Nino ka çuar në një verë të thatë në pjesë të Azisë Juglindore, duke vonuar mbjelljen e orizit dhe të korrave të tjera në Tailandë, Kamboxhia, Vietnam dhe Filipine.

Në Indi, shirat e monsove (erëra periodike stinore) janë intensifikuar në disa rajone javët e fundit, ndonëse sipërfaqe të mëdha të vendit mbeten me deficit të reshjeve.

Në skajin tjetër të Paqësorit, El Nino ka vonuar mbjelljen dhe ka dëmtuar rritjen e të korrave në Amerikën Qendrore. Reshjet e shiut në Guatemalë ishin deri në 85 për qind nën mesataren në korrik, dhe stresi mbi të korrat është rënduar më tej nga temperaturat dukshëm mbi normalen.

Një kulturë misri e shkatërruar nga thatësira në komunitetin Xetzac të Cunen, Guatemalë, në maj. Kredia./Agence France-Presse – Getty Images

Në Panama, periudha e thatësirës ka ngritur shqetësime për operacionet në Kanalin e Panamasë. Gjatë El Nino-s të fundit, në vitet 2023-24, një deficit i rëndë reshjesh bllokoi trafikun në këtë rrugë ujore, e cila ngre dhe ul anijet përmes pikave të kalimit duke përdorur ujin nga një liqen që ushqehet nga shiu.

Ndërsa El Nino ka marrë më shumë fuqi, Autoriteti i Kanalit të Panamasë ka shtrënguar kufizimet se sa rëndë mund të ngarkohen anijet gjatë kalimit.

Zyrtarët nuk e kanë përjashtuar mundësinë e kufizimit të kalimeve ditore, sipas një deklarate të javës së kaluar nga një zëdhënës i autoritetit të kanalit, Octavio Colindres.

Është e vështirë të parashikohet se sa nën normalen do të jenë reshjet e shiut në Amerikën Qendrore në muajt e ardhshëm, tha Steven Paton, i cili monitoron oqeanet dhe atmosferën në Institutin e Kërkimeve Tropikale Smithsonian në Panama.

Arsyeja, tha ai, është se modelet kompjuterike të shkencëtarëve bazohen mbi ngjarjet e kaluara. El Nino i këtij viti pritet të jetë kaq shumë më i fuqishëm se çdo episod i regjistruar më parë, saqë nuk mund të jemi të sigurt se sa saktësisht modelet do t’i parashikojnë ndikimet e tij.

“Në rastin më të mirë, do të jetë po aq i keq sa më i keqi që kemi parë më herët, e mundësisht shumë më i keq”, tha Paton.

Në Afrikën Lindore, El Nino zakonisht sjell shira të rrëmbyeshëm, madje edhe përmbytje e rrëshqitje dheu, nga nëntori deri në janar.

Por kur ky fenomen shfaqet më herët gjatë vitit, ai mund të pengojë reshjet e shiut në pjesë të rajonit, përfshirë Keninë perëndimore dhe Etiopinë.

Nxënës shkolle të transportuar me varkë në ujërat e ngritura të Liqenit Bogoria në Kenia pas shirave të rrëmbyeshëm muajin e kaluar. /Agence France-Presse – Getty Images

Kjo ka qenë realiteti i hidhur gjatë muajve të fundit, tha Chris Shitote, një shkencëtar në terren i bazuar në Nairobi të Kenisë për Rrjetin e Sistemeve të Paralajmërimit të Hershëm të Urisë (FEWS NET), një agjenci nën Departamentin e Shtetit të SHBA-së.

Shitote dhe disa kolegë udhëtuan së fundmi përmes qarqeve perëndimore të Kenisë që prodhojnë drithëra. Korrja e misrit ishte tronditëse e dobët, tha ai.

“Është diçka që disa prej nesh nuk e kanë parë në ndoshta 10 vitet që kemi dalë në terren”.

Bimët që zakonisht rriten deri në nëntë këmbë (rreth 2.7 metra) të larta u ndalën në vetëm pesë ose gjashtë këmbë (1.5 – 1.8 metra), tha Shitote.

Një korrje tipike mund të prodhojë 20 deri në 30 thasë misër për çdo akër toke, i thanë kultivuesit atij. Këtë vit, duket se mund të jenë vetëm një ose dy thasë për akër.