Prishja e aleancës në mes të Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit ka shtuar zërat për një rikthim të mundshëm të Osmanit në ish-partinë e saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Përçarja mes Osmanit dhe Kurtit filloi kur kjo e fundit, edhe pse shprehu hapur synimet, nuk u kandidua nga Lëvizja Vetëvendosje edhe për një mandat për Presidente.

Pasi që binomi Kurti-Osmani ndanë rrugët, disa eksponentë të LDK-së u shprehën pro rikthimit të Osmanit në parti.

Madje, derën ia hapi edhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në një intervistë për Klan Kosova, derisa foli për një bashkim të të djathtëve, ai tha se Osmani e ka vendin e padiskutueshëm në këtë projekt.

“Besoj që Osmani është Presidente edhe për 25 ditë. Nuk besoj që i ndihmoj presidencës nëse i jap ngjyrim partiak. Pas 25 ditëve mendoj që ka hapësirë të shkëlqyeshme dhe të rrallë të ndodhë një gjë për të cilën jam shumë i interesuar të bëjë bashkimin e madh institucionalistëve të djathtës, të dashamirëve të republikës, në një lëvizje të madhe pro-perëndimore, zhvillimore, të matur e të ditur, që ofron dritë të vërtetë për vendin. Dhe në këtë kuptim hapësira diskutuese me Vjosën është më e mirë se që ka qenë ndonjëherë më parë. Do të ulemi të flasim. Patjetër. LDK i hap dyert për ata që besojnë. Natyrisht se Osmani e ka vendin e vet të padiskutueshëm. Bashkim ose bashkëpunim duhet parë”, tha Abdixhiku.

Por, njëjtë si Abdixhiku nuk mendon ish-Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Në një prononcim për VOX Kosova të dielën, Mustafa tha se ata që kërkojnë rikthimin e Osmanit në LDK, më së paku janë eksponentë të LDK-së, por, sipas tij, janë eksponentë të VV-së brenda LDK-së.

“Do thosha që ata që kërkojnë kthimin e Vjosës në LDK, më së paku janë eksponentë të LDK-së. Shumë më shumë janë eksponentë të VV-së të ndenjur në LDK”, tha Mustafa për VOX-in.

Fjalë të mira për Osmanin nuk pati as ish-Kryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti. Në një intervistë për gazetën Nacionale, Hoti deklaroi se dëmet që Osmani i ka shkaktuar LDK-së dhe vendit janë të papranueshme.

“Është e drejtë e saj si vepron ajo pasi të mbarojë mandatin, është e drejtë e saj, varet nga ajo. Një gjë është e vërtetë që dëmet që i janë shkaktuar LDK-së nga ajo personalisht i kanë kushtuar vendit dhe LDK-së. Pas 5 viteve, ende kemi pasojat e veprimeve të saj, asaj i ka dhënë LDK-ja gjithçka, duke e kandiduar për Kryeministre, duke e zgjedhur kryetare të Kuvendit”, tha Hoti.

Sipas deputetit të LDK-së, veprimet që Osmani ka ndërmarrë para 5 vitesh, “janë jashtë çdo etike të sjelljes politike, kështu që nuk e shoh se si mund [të rikthehet]”.

“LDK është parti e hapur, secili që ka vullnet e që respekton statutin e partisë mund të bashkohet me LDK-në në parim, kanë mbetur plagë nga veprimet e saj politike të pabesa ndaj LDK-së. E ka marrë një pjesë të LDK-së dhe e ka çu në kampin tjetër politik. Dëmet janë të pariparueshme”, shtoi ai ndër të tjera.

Osmani kishte paralajmëruar se në rast të mos kandidimit për Presidente mund të rikthehet në politikë aktive, edhe pse nuk e kishte qartësuar se ku dhe si do të vazhdonte aktivitetin e saj politik.

“Nuk më heqin qafe edhe aq lehtë”, kishte thënë Osmani në shtator të 2024-së kur ishte pyetur se a do të jetë pjesë e politikës edhe pas përfundimit të mandatit si Presidente.

Për rikthimin eventual të Osmanit në LDK është pyetur edhe Kryeministri Albin Kurti. Në një konferencë për media më 6 mars, në ditën kur Osmani e shpërndau Kuvendin pas dështimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit, Kurti, pasi tha se dekreti i saj është antikushtetues, deklaroi se “nëse një ditë, siç është paralajmëruar, mund të kthehet në politikë; ajo do të ishte situatë tjetër”.

Osmani ishte larguar nga LDK-ja në vitin 2021. Ajo kishte themeluar një iniciativë të quajtur Lista GUXO, në fillim të vitit 2021. Me këtë iniciativë, Osmani kishte bërë koalicion me Albin Kurtin, duke u bërë pjesë e listës së VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Në ato zgjedhje, Osmani kishte garuar për Presidente, ndërsa Kurti për Kryeministër. Pas fitores me mbi 50 për qind, binomi kishte marrë të dy pozitat.

Humbjen më të madhe në zgjedhjet e 2021-së do ta kishte LDK-ja. Kjo parti do të merrte rezultatin më të dobët në histori, rreth 13 për qind.

Për shkak të këtij rezultati të dobët, Isa Mustafa kishte dhënë dorëheqje nga drejtimi i LDK-së.

Osmani ka pasur pozita kyçe në LDK. Madje, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, ajo ishte mandatuar nga partia si kandidate për Kryeministre.

Në ato zgjedhje, Osmani ishte renditur e dyta, pas Kurtit.

Për shkak të marrëveshjes për bashkëqeverisje me VV-në, Osmani do të zgjidhej Kryetare e Parlamentit.

Çarja e Osmanit me LDK-në kishte filluar kur ajo kishte dalur kundër prishjes së koalicionit me VV-në, pasi që Albin Kurti, si Kryeministër, e kishte shkarkuar Agim Veliun e LDK-së nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme, në kundërshtim me marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, Osmani kishte dalur kundër formimit të Qeverisë së re nga bashkëpartiaku i saj, Avdullah Hoti.