Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, kërkuan nga Serbia hapjen e arkivave për të pagjeturit.

“Përsëri bëj thirrje që Serbia të hapë arkivat dhe që partnerët tanë ndërkombëtarë të bëjnë presion mbi Serbinë që e njëjta t’i hapë arkivat”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se janë mbi 1 mijë e 500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës. “Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, mendimet tona janë pranë familjarëve të cilët për afër tre dekadash presin përgjigje për më të dashurit e tyre. Janë edhe mbi 1 mijë e 500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës, të cilët ende nuk janë gjetur. Për familjet pritja vazhdon, ndërsa për Republikën e Kosovës ende vazhdon të jetë një kapitull i hapur, i cili nuk do të mbyllet deri sa të gjendet edhe personi i fundit. Kërkimet nuk janë ndalur”, tha Haxhiu.

Kurti, rikujtoi zotimin e Serbisë për bashkëpunim në hapjen e arkivave, por që nuk e kanë bërë.

“Mos harrojmë edhe deklaratën e 2 majit të vitit 2023, me të cilën Serbia zotohet që do të bashkëpunojë për hapjen e arkivave në mënyrë që të zbardhet e vërteta. Më duhet ta ritheksoj që një ndër dosjet më të rëndësishme që të deklasifikohet është ajo e brigadës së motorizuar ushtarake të Ushtrisë Jugosllave 37, e cila ka kryer shumë masakra në Kosovë e posaçërisht në Drenicë”, potencoi ai.

Kosova, theksoi ai, s’mund të presë deri në vitin 2044 për hapjen e arkivave. “Nuk mund të presim deri në vitin 2044 që të hapen këto arkiva. Ato do të duhej që të hapeshin qysh dje, qysh pardje. Ndërkohë që janë klasifikuar pikërisht në vitin 2014, atëherë kur presidenti aktual i Serbisë, Vuçiç, ishte ministër i Mbrojtjes dhe ishte gjithashtu dhe koordinator i shërbimeve sekrete informative. Tash merreni me mend, ky që është president i Serbisë sot, në vitin 2014 kur janë klasifikuar dosjet e Ushtrisë Jugosllave që kanë kryer krime në Kosovë, e në veçanti e brigadës së motorizuar 37, ka qenë ministri i Mbrojtjes dhe koordinator i shërbimeve informative dhe sekrete të Serbisë”, shtoi Kurti.

Kurti kërkoi që Serbia t’i hapë dosjet dhe u bëri thirrje ndërkombëtarëve, që të ushtrojnë presion ndaj Beogradit.

“Prandaj, tash që kanë kaluar 12 vjet nga klasifikimi i kësaj dosje, nuk mund të presim ne edhe 18 vjet të tjera deri në vitin 2044 që duhet të hapen. Duhet të hapen një ditë e më parë. Kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, posaçërisht nga Bashkimi Evropian, ku Serbia po synon të anëtarësohet dhe nga e cila Serbia merr fonde qindra e qindra-milionëshe, që të bëjnë trysni për hapjen e këtyre dosjeve”, deklaroi ai.