Policia e Kosovës ka njoftuar të mërkurën se në Mitrovicë janë gjetur eshtrat e së paku dy personave që dyshohet se janë të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur në raportin 24 orësh të policisë, të cilët njoftuan se gërmimet filluan me urdhëresë të gjykatës.
“Me urdhëresë të gjykatës është bërë gërmimi dhe janë gjetur eshtrat e së paku dy personave të zhdukur gjatë kohës së luftës së fundit për të cilët besohet se i përkasin listës kombëtare të personave të zhdukur me forcë gjatë periudhës së luftës 1998-1999”, thuhet në raport.
Pas përfundimit të procedurave në vendin e ngjarjes, bëhet me dije se mbetjet e eshtrave janë sjellur në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për ekzaminim mjekësor dhe konfirmim të identitetit përmes analizës së ADN-së.









