Individë të arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e militantë partiakë janë propozuar nga Qeveria e Kosovës për drejtorë në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Hekuran Nikçi, Blerina Batusha – Xërxa, Mersiha Kaja, Berat Isa, Arbër Gorani, Atdhe Hykolli e Feim Kelmendi janë emrat që Qeveria Kurti synon t’i rehatojë në përbërjen e Bordit të AKP-së.
DOKUMENT:

Si kryeinspektor i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi ishte arrestuar në mars të 2025-tës nën dyshimin për tri vepra penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës dhe Përdorim i paautorizuar i pasurisë.
I njëjti ishte përfshirë në një mori skandalesh gjatë kohës sa ushtronte këtë pozitë. Në një rast, Nikçi kishte qortuar Kryeinspektorin e Mitrovicës, Nexhat Fazliu, pasi ky kishte ndihmuar Prokurorinë për të gjurmuar lidhjet kriminale të kompanisë së terroristit serb, Milan Radojiçiç.

Një tjetër figurë e komprometuar dhe nën hetime për keqpërdorime është Feim Kelmendi, një person i afërt i Vetëvendosjes, i rehatuar nga pushteti në Telekomin e Kosovës si Zyrtar Kryesor i Financave
dhe Thesarit.

Kelmendi është intervistuar disa herë nga Prokuroria Speciale nën dyshimin për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe për “cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës”.
DOKUMENT:

Kelmendi, VOX Kosovës i tha se u kontaktua nga Qeveria “për t’ia marrë mendimin”, por s’e di se është propozuar.
“Nuk jam në dijeni që jam propozuar. Por e konfirmoj që jam kontaktuar nga Qeveria për të marrë qëndrimin tim nëse pajtohem me propozimin”, tha.
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, tha se votimi për anëtarë të Bordit të AKP-së në Komision ka qenë “pa plan” dhe të propozuarit “janë votuar nga Vetëvendosje pa CV-të dhe njohuritë zyrtare për ta”.
Ajo tha se ka informuar Prokurorinë për emrat e propozuar.
“Me vonë, gjatë ditës kam marr informata shqetësuese të natyrës penale rreth disa të të propozuarve për këtë bord dhe kam dërguar kërkesë në adresën e Prokurorisë së Shtetit dhe Prokurorisë Speciale për të verifikuar statusin penal të të gjithë anëtarëve të Bordit”, shkroi deputetja.
Sa ishte në opozitë, tash kryeministri i vendit, Albin Kurti, një nga pikat kryesore të premtimeve elektorale e ka pasur mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
“AKP-ja, kemi thënë se do të shuhet. Dhe do të shuhet”, deklaronte Kurti më 27 maj të vitit 2021 në Kuvendin e Kosovës.
“AKP-ja do të shuhet dhe do të formohet Fondi Sovran”, shtonte ai.
Në pushtet me Kurtin në krye, s’kishte ndodhur as njëra as tjetra. Ndër vite, Agjencia Kosovare e Privatizimit është transformuar në çerdhe të punësimeve partiake, për të cilat VOX Kosova ka raportuar në vazhdimësi.









