Kur kanë mbetur edhe 0.43 pikë të përqindjes për procesimin e pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, numri i qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës ka arrirë në 899 mijë e 545, pa llogaritur vendvotimet me kusht, votimet e personave me nevoja të veçanta dhe atyre  jashtë Kosovës.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, ky numër përbën afro 28 mijë vota më shumë sesa numri i votuesve në zgjedhjet e 9 shkurtit, kur numri i përgjithshëm në vendvotime të rregullta shkonte në 871 mijë e 662 qytetarë.

Me procesimin e deritanishëm pjesëmarrja si përqindje e listës votuese ka shkuar në 44.99%.

Kujtojmë se mbi 2 milionë qytetarë sot kanë pasur mundësinë të zgjedhin për përbërjen e legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Kosovës, nëpërmjet të gjitha formave legale të votimit. Exit Poll-et e para kanë nxjerrë fituese partinë Vetëvendosje, që udhëhiqet nga Albin Kurti, e cila po prinë bindshëm edhe në rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni i Zgjedhjeve.