Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë pretendimin e Albulena Haxhiut dhe nëntë deputetëve të tjerë se “deputetët e opozitës, me mospjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme dhe votimin për zgjedhjen e Presidentit, të mbajtur më 5 mars 2026, kanë shkelur Kushtetutën dhe janë në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre”.

Sipas Gjykatës, deputetët e opozitës nuk e kanë shkelur ligjin duke mos qëndruar në sallë gjatë procesit të votimit për Presidentin. Andaj, ajo e ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruesve.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 30 mars 2026, ka vendosur për kërkesën me numër të rastit KO68/26, të parashtruar nga znj. Albulena Haxhiu dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.

Gjykata, njëzëri, vendosi:

I. TË HEDHË POSHTË kërkesën e parashtruesve;
II. TË REFUZOJË kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme;
III. T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
IV. TA PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
V. TË KONSTATOJË që ky vendim hyn në fuqi menjëherë, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.