Në Gjakovë, në hapësirën ku Albin Kurti kishte premtuar të ndërtonte një aeroport për transportin e mallrave (kargo) dhe udhëtarëve, tashmë mund të fluturojnë vetëm shpendët.

Që nga viti 2021, atje nuk ka ndodhur asgjë nga ajo që premtonte kryeministri i Kosovës.

“Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet me dy shërbime bazë: kargo dhe për udhëtime me kosto të ulët”, deklaronte Kurti në vitin 2021, kur ishte në opozitë.

Pesë vjet më vonë, kryeministri duket se ka ndryshuar destinacion, shkruan Vox Kosova.

Premtimet e tij tashmë fluturojnë diku tjetër.

Një ide që e kishte përmendur gjatë fushatës zgjedhore, Kurti e ka përfshirë edhe në buxhetin për vitin 2027: themelimin e një aviokompanie shtetërore.

“Për herë të parë, me këtë buxhet është paraparë edhe themelimi i aviokompanisë kombëtare, e cila do të shërbejë për më shumë linja për bashkatdhetarët tanë, por edhe si mjet i promovimit të vendit për mërgatën tonë, anekënd aeroporteve ku aeroplanët me logon e shtetit tonë do të aterojnë”, deklaroi Kurti në mbledhjen e Qeverisë të hënën.

Aterrimi përfundimtar i Air Albania-s

Por, a do të jetë ky një udhëtim që nuk do të nisë kurrë, siç ndodhi me Aeroportin e Gjakovës, apo një projekt që do të përfundojë në dështim?

Përvoja nga Shqipëria nuk është aspak inkurajuese.

Gjatë dy dekadave të fundit, në Shqipëri kanë dështuar disa kompani ajrore, ndër to Ada Air, Belle Air, Albawings, Albatros Air, Albanian Airlines dhe, së fundmi, edhe kompania që u promovua me pompozitet të madh: Air Albania.

Kjo e fundit humbi licencën e operimit në dhjetor të vitit 2025, duke lënë pas pasagjerë të frustruar, fatura të papaguara, padi ndërkombëtare, borxhe dhe punonjës të dëshpëruar.

Në raportimet e mediave shqiptare, të cilat u referohen edhe mediave të specializuara ndërkombëtare të aviacionit, si Aero Telegraph, përshkruhet rrugëtimi i Air Albania-s, nga projekti ambicioz deri te ndalja përfundimtare e fluturimeve.

Sipas raportimit të Gazetës Telegraf, duke iu referuar Aero Telegraph, në maj të vitit 2017, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan njoftuan krijimin e një kompanie të re ajrore kombëtare shqiptare.

Partneriteti publiko-privat, i mbështetur nga Turkish Airlines, synonte të ofronte fluturime ndërkombëtare nga aeroporti i Tiranës dhe të nxiste zhvillimin e industrisë së turizmit në Shqipëri.

Aksionet u ndanë ndërmjet Turkish Airlines (49 për qind), agjencisë shtetërore Albcontrol (10 për qind) dhe kompanisë shqiptare MDN (41 për qind), pa një tender publik.

Projekti premtues, dështimi dhe barra e shtetit

Në korrik të vitit 2018, Air Albania realizoi fluturimin e saj të parë në linjën Tiranë–Stamboll, me një avion Airbus A319 të marrë me qira nga Turkish Airlines. Në fillim, projekti i përbashkët dukej premtues.

Megjithatë, kompania nisi të përballej me vështirësi, ndërsa tregu shqiptar i aviacionit po ndryshonte me shpejtësi. Hyrja dhe zgjerimi i kompanive me kosto të ulët, si Wizz Air dhe Ryanair, ndryshuan konkurrencën në treg.

Në pranverën e vitit 2025, pas një periudhe rishikimi, Air Albania u përpoq të rifillonte aktivitetin me 11 destinacione të reja nga Tirana dhe avionë shtesë të marrë me qira nga Fly2Sky dhe SkyUp. Por edhe kjo përpjekje dështoi.

Më 20 shkurt 2025, kompania nisi fluturimin e parë nga Tirana drejt Vjenës, me një Airbus A320 të marrë me qira nga Fly2Sky. Në bord, sipas raportimit, ndodheshin vetëm 10 pasagjerë. Ndërkohë, Ryanair, Wizz Air dhe Austrian Airlines kishin krijuar një konkurrencë të fortë përmes çmimeve më të favorshme. Pas vetëm tri fluturimeve, kjo linjë u braktis.

Rihapja dhe destinacionet e reja të paralajmëruara nuk u realizuan sipas planit.

Në muajt e fundit të vitit 2025, vetëm një avion i marrë me qira përdorej për fluturime të rralla drejt Milanos dhe Stambollit, ndërsa shtoheshin raportimet për gjendjen e rënduar financiare të kompanisë.

Sipas raportimeve të Aero Telegraph, Air Albania u përball me padi në gjykata ndërkombëtare për mospagimin e tarifave dhe kostove operative.

Në nëntor, Turkish Airlines njoftoi largimin nga partneriteti dhe ndërprerjen e bashkëpunimit në linjën drejt Stambollit. Ky ishte një sinjal i qartë se fundi i kompanisë po afrohej.

Sipas raportimeve, borxhet e Air Albania-s arritën në mbi 100 milionë euro.

Historia e kompanisë përfundoi me uljen e fluturimit ZB1003 nga Stambolli, pak para mesnatës së 2 dhjetorit 2025, duke mbyllur një kapitull që kishte nisur me ambicie të mëdha dhe kishte përfunduar në dështim financiar.

Por historia nuk mbaron këtu. Një pjesë e faturës së këtij dështimi mund t’i mbetet shtetit shqiptar.

Sipas Aero Telegraph, në mars të vitit 2026, Qeveria e Shqipërisë, e drejtuar nga Edi Rama, po shqyrtonte mundësinë e marrjes përsipër të rreth 35 milionë eurove nga borxhet e kompanisë, me qëllim shmangien e procedurave ligjore.

“Qeveria shqiptare po shqyrton marrjen përsipër të një pjese të borxheve të linjës ajrore të falimentuar. Kjo rrjedh nga detyrime të papaguara prej afërsisht 100 milionë eurosh, duke përfshirë pagesat për qiratë, tarifat e aeroportit, karburantin dhe shërbimin e ushqimit, sipas raportimeve të mediave lokale.

Për të shmangur procedurat ligjore, shteti mund të marrë përsipër rreth 35 milionë euro. Këto fonde do të përdoren posaçërisht për të zgjidhur pretendimet kundër Air Albania-s nga partnerët e saj ndërkombëtarë”, thuhet në raportim.

Kjo është një përvojë që duhet të shërbejë si paralajmërim për Kosovën. Një kompani ajrore kombëtare nuk krijohet vetëm me premtime, emër, logo dhe avionë të fotografuar në fushatë. Ajo kërkon plan të qëndrueshëm biznesi, kapital, konkurrueshmëri dhe menaxhim profesional.

Ndërsa Aeroporti i Gjakovës vazhdon të mbetet një premtim i parealizuar, qytetarët kanë arsye të pyesin nëse aviokompania e re shtetërore do të jetë një projekt konkret apo një tjetër premtim që do të mbetet në pistë.