Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se Dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërbërjen e Kuvendit e rrjedhimisht zgjedhjet janë të pashmangshme, duke qenë se sipas tij vendi nga dje është në “auto-pilot” dhe udhëhiqet nga Kushtetuta.
“Sikurse dihet nga dje 12:00 e natës jemi në auto-pilot. Tani na udhëheqë Kushtetuta dhe afatet kushtetuese. Presidentja ka ndërmarrë veprimin që i ka taku me ndërmarrë. Pra, i pashmangshëm. I drejtë”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për VOX Kosova.
Haradinaj ka deklaruar po ashtu se në zgjedhjet që pritet të zhvillohen në 45 ditët e ardhshme AAK do të garojë e vetme me të si ushtrues i Kryetarit, teksa shtoi se nisma për reformim të partisë do të përkthehet në ofertën e tyre elektorale.
“Jam në detyrë deri më 6 qershor, pra ashtu edhe ky proces më gjen në detyrë, por ne kemi fillu një tranzicion. Do ta reflektojmë edhe në ofertën tonë për qytetarët. Kuptohet, Aleanca garon e vetme si Aleancë”, ka potencuar dy herë ish-Kryeministri i Kosovës.
Për Haradinajn dhe AAK-në çdo datë brenda afateve kushtetuese është në rregull.
“Çdo datë në afat kushtetues është në rregull. Po ju thashë edhe një herë, nuk është më çështje e preferencave, po është auto-pilot ma. Ma s’ka askush fuqi që si individ dhe janë afatet kushtetuese që na obligojnë”.
Në prononcimin dhënë për VOX Kosova, Haradinaj ka shprehur miratimin e tij për propozimin e Osmanit për ndryshimet kushtetuese që mundësojnë votimin direkt të Presidentit të vendit, por edhe pakënaqësinë për mënyrën se si u tentua të zhvillohej procesi dje, më 5 shkurt.
“Me ju thënë të drejtën, unë e kam pas inicu këtë (votimin direkt). Kam qenë ndër të parët që e kam inicu, po si procedurë ka mbet ashtu. Tani e mirëpres që është rikthye, që është rikthye si procedurë, kuptohet u bë në mënyrë jo fort të respektueshme, se u ba në minutat e fundit. Nuk ishte fort në rregull. Është dashtë me u ba më herët, në mënyrë ma të respektueshme”, ka deklaruar Haradinaj.








