Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas publikimit të incizimeve audio, në të cilat pretendohet se është ushtruar presion ndaj një delegati të Kuvendit të partisë, duke dënuar ashpër çdo formë të kërcënimit, shantazhit dhe frikësimit.

Në reagimin zyrtar, LDK thotë se në incizimet e publikuara pretendohet se zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë ushtruar presion ndaj një delegati përmes kërcënimeve që lidhen me vendin e punës së një anëtari të familjes së tij.

Sipas LDK-së, një sjellje e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat, parimet dhe Statutin e partisë, si dhe me ligjin.

“LDK është ndërtuar mbi lirinë e mendimit, votës dhe bindjes. Askush, e aq më pak ata që bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojnë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh”, thuhet në reagim.

Partia ka bërë të ditur se organet kompetente do të iniciojnë menjëherë procedurat statutare dhe disiplinore ndaj anëtarëve të LDK-së që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite.

Njëkohësisht, LDK i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe organeve të tjera të drejtësisë që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore nëse konstatohet se janë konsumuar elemente të veprave penale.

“LDK nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve tona demokratike dhe dinjitetin e njerëzve tanë. Demokracia nuk mbrohet me presion. Ajo mbrohet me votë të lirë”, thuhet në fund të reagimit.