Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar kërkesën për masë të përkohshme të sigurimit dhe ka pezulluar procedurën e gradimit në Policinë e Kosovës, duke ndaluar përkohësisht zbatimin e disa dispozitave të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 që rregullon avancimin e zyrtarëve policorë.

Me aktvendimin PA.nr.16/2026, Supremja ka vendosur të pezullojë zbatimin e nenit 7, paragrafët 2, 3, 4 dhe 5 të këtij udhëzimi, si dhe të ndalojë procedurën e gradimit të shpallur më 28 maj 2026, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për ligjshmërinë e tyre.

Padia është ngritur nga një zyrtare policore nga Vitia, e cila ka argumentuar se dispozitat e kontestuara cenojnë parimin e meritokracisë dhe trajtimit të barabartë, pasi u japin mundësi zyrtarëve me mbi 10 vjet përvojë që të aplikojnë për dy grada më të larta njëherësh, pa kaluar nëpër procedurat e zakonshme të avancimit.

Sipas Gjykatës Supreme, pretendimet e paditëses janë serioze dhe ngritin dyshime të bazuara për tejkalim të autorizimeve ligjore, cenim të meritokracisë, ndikim në strukturën hierarkike dhe mungesë proporcionaliteti në rregullimin e ri.

Gjykata ka vlerësuar se vazhdimi i procesit të gradimit mbi bazën e këtyre dispozitave mund të shkaktojë pasoja të pariparueshme, ndërsa pezullimi i përkohshëm nuk dëmton rëndë interesin publik.

Vox Kosova kishte raportuar paraprakisht për mundësinë e parregullsive në procesin e gradimeve në Policinë e Kosovës, duke ngritur shqetësime se kriteret e reja mund të favorizonin një kategori të caktuar zyrtarësh dhe të anashkalonin parimin e avancimit gradual në hierarkinë policore.

Megjithatë, Gjykata Supreme ka sqaruar se masa e përkohshme nuk paragjykon epilogun e çështjes dhe se vendimi përfundimtar për ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara do të merret pas shqyrtimit të plotë të padisë në procedurën gjyqësore përkatëse.