Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka reaguar ndaj njoftimit të djeshëm të Ambasadës Amerikane në Kosovë për pezullimin e Dialogut Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së.
Ky këshill është shprehur i shqetësuar për këtë zhvillim, pasi veprimin e SHBA-së e cilëson si “alarmues”. Ata kanë shtuar se “marrëdhëniet diplomatike (mes Kosovës dhe SHBA-së) janë në një pikë të ulët historike”.
“…pezullimi i Dialogut Strategjik është shembulli më i fundit dhe më alarmues i këtij përkeqësimi. Ky trend duhet të përmbyset menjëherë. Rindërtimi i besimit dhe partneritetit kërkon koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çdo nivel”, është thënë në reagim.
Këshilli ka kërkuar edhe kthimin e lobimit shqiptar në Uashington.
“Për më tepër, si qeveria aktuale ashtu edhe çdo qeveri e ardhshme duhet të krijojnë urgjentisht mekanizma dhe kanale lobimi në Uashington, D.C. Kjo punë nuk mund të vonohet.”









