Presidentja në largim e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar zyrtarisht detyrën krye-parlamentares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nga mesnata do të ushtrojë funksionin e ushtrueses së detyrës së Kryetares së shtetit.

Osmani u shpreh e lumtur se pozitën e saj po ia kalon një gruaje, gjë të cilën tha se e ka dashur qysh kur ka hyrë në zyrën e të parës së shtetit.

“Uroj që, siç thotë populli: ‘Ta ngrehni këmbën zhag”, i tha Osmani Haxhiut.

Haxhiu falënderoi Osmanin për punën e saj në këto pesë vite, teksa bëri thirrje që Kuvendi sa më shpejt të zgjidh çështjen e Presidentit të ri, pasi zgjedhjet e reja sipas saj nuk i konvenojnë “as qytetarëve të Kosovës e as shtetit”.

“U bëj thirrje grupeve parlamentare që sa më parë të ketë një zgjidhje për çështjen e Presidentit. Le t’i lënë anash dallimet politike…”, deklaroi spikerja e Parlamentit.

Në fund të ceremonisë, Osmani ia dorëzoi në mënyrë simbolike Haxhiut një Kushtetutë për të cilën tha se e kishte pranuar nga tanimë Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, kur ky i fundit ishte ushtrues detyre i Presidentit.

“Kjo është Kushtetuta që ma ka dorëzu Glauku, kur e kam marrë detyrën prej tij, kur ai ka qenë ushtrues detyre, tash po ta japë ty”, deklaroi Osmani.

Legjislatura e dhjetë e Kuvendit nuk arriti të krijojë nja shumicë që do të mundësonte inicimin e procedurës së zgjedhjes së Presidentit.

Më 06 mars, Presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret që shpërndante Kuvendin, të cilin e bazonte në nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës, i cilit thotë se Presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

Më 25 mars, Gjykata Kushtetuese rrëzoi dekretin e Osmanit mbi arsyetimin se Kuvendi, i konstituuar vetëm më 11 shkurt, nuk arriti të përmbushë afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit, duke i dhënë kështu edhe 34 ditët e mbetura, pas të cilave Kuvendi shpërndahet “ex constitutione” .